Lidhje

60 vjetori i kryengritjes anti-sovjetike në Hungari


Hungaria po përkujton 60 vjetorin e kryengritjes anti-sovjetike të vitit 1956. Më 23 tetor 1956 në Hungari filloi një revoltë kundër sundimit komunist. Revolta u ndez nga studentët. Me përhapjen e revolucionit, në vend filluan të hyjnë forcat sovjetike dhe kryengritja u shtyp brenda disa javësh.

Protestat studentore filluan pasditen e 23 tetorit dhe në mbrëmje ishin kthyer në kryengritje të armatosur.

Rreth 2,800 hungarezë dhe 700 trupa sovjetike u vranë gjatë ofensivës së Ushtrisë së Kuqe për të shtypur revoltën.

Mihaly Nagy mori pjesë në revoltë, duke shtypur trakte në bodrumin e një spitali të Budapestit.

"Sovjetikët sulmuan me një forcë aq të madhe saqë ne nuk kishim asnjë gjasë për t’i përballuar. Prandaj, në vend të betejave me armë, ne vendosëm të shtypim trakte.”

Grupi i Nagy-t u kap gjatë një bastisjeje dhe më vonë udhëheqësi i grupit u ekzekutua.

Nagy u dënua me gjashtë vjet burgim. Atij iu ofrua amnisti tre vjet e gjysmë më vonë.

Gjatë burgimit, ai qëndroi në të njëjtën qeli me Arpad Goncz-in i cili më vonë do të bëhej president i Hungarisë.

"Njeriu më i rëndësishëm me të cilin kam qenë ndonjëherë në qeli ishte Arpad Goncz. Ne ishim miq shumë të mirë edhe pse unë nuk kisha asnjë ide se ai do të bëhej më pas president i Hungarisë", thotë Nagy.

Goncz u akuzua për tradhti dhe u dënua me burgim të përjetshëm nga autoritetet komuniste të Hungarisë për pjesëmarrje në kryengritjen e dështuar anti-sovjetike. Ai u lirua në vitin 1963.

Gjashtëdhjetë vjet më vonë, 80-vjeçari Nagy nuk ndjen keqardhje për rolin e tij në rebelimin 1956-s.

"Nuk pendohem për asgjë që kam bërë në atë kohë."

Edhe mësuesi Endre Ebinger, tani 84 vjeç, mori pjesë në protesta. Ai u detyrua të ndalë mësimin, për shkak të pranisë së një tanku rus në hyrje të shkollës. Për këtë ai u dënua me gjashtë vjet burg.

"U thashë se nuk do të jepja mësim përsa kohë që tanku do të qëndronte atje. Kjo mu kthye një akuzë për nxitje të kryengritjes," kujton ai.

Ai është kundër politikanëve të sotëm që përpiqen të nxjerrin kapital politik nga ngjarjet e vitit 1956.

"Është e qartë se të gjithë duan të nxjerrin fitime politike nga 1956-a. Kjo më duket e neveritshme."

Historiani Laszlo Eorsi ka punuar në Institutin e Historisë së revolucionit hungarez të vitit 1956, i cili u mbyll disa vjet më parë.

Eorsi thotë se bazën e revolucionit e formoi opozita e përbërë nga intelektualët brenda partisë komuniste në pushtet.

"Ishte një grup intelektualësh, një lloj opozite brenda partisë, që filloi një lëvizje kundër regjimit totalitar. Ata e filluan këtë në vitin 1953 deri në 1956. Pa ata, nuk do të kishte ndodhur shkrirja, që lejoi radikalizimin e revolucionit,” thotë ai.

Eorsi beson se qeveria e tanishme e ka mbivlerësuar rolin e luftëtarëve që dolën në rrugë gjatë revolucionit, të ashtuquajturit "fëmijët e Pestit".

"Qeveria e tanishme e vë theksin kryesisht te “fëmijët e Pestit", duke u dhënë atyre një rol qendror, por ky është një lloj falsifikimi," thotë ai.

Pas disfatës në rrugë, grevat dhe protestat vazhduan edhe disa javë deri sa një goditje e forcave sovjetike i dha fund përfundimisht kryengritjes në janar 1957.

Rreth 200 mijë hungarezë u largua nga vendi. Të paktën 225 vetë të akuzuar për pjesëmarrje në revolucion u ekzekutuan, duke përfshirë Imre Nagy-in, një komunist i kthyer në demokrat, i cili ishte kthyer përkohësisht në pushtet në vitin 1956.

Komunistët e mbajtën pushtetin në Hungari deri në vitin 1989.

XS
SM
MD
LG