Lidhje

Ndihma amerikane për ish vendet e kampit socialist

  • Laura Konda

Një çerek shekulli më parë, sistemi komunist u shpërbë. Një numër vendesh u shkëputën nga ndikimi i ish-Bashkimit Sovjetik ndërsa disa të tjera i dhanë fund sistemit një partiak, duke përqafuar pluralizimin politik dhe ekonominë e tregut. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tyre ofruan ndihmë për këto vende, në përpjekjet e tyre për ndërtimin e një sistemi të ri drejtimi. Kolegia Laura Konda ndoqi një diskutim të organizuar në Uashington nga Zyra e Europës dhe Euroazisë e USAID-it dhe Instituti Kennan.

Rënia e komunizmit 25 vjet më parë solli fillimin e një tranzicioni politik dhe ekonomik në disa vende të Europës dhe Euroazisë. Cili ka qenë roli i Shteteve të Bashkuara te Amerikes dhe partnerëve të tyre për të ndihmuar ish vendet komuniste në krijimin e institucioneve dhe strukturave ligjore, që janë baza për ekonominë e tregut?

Me rënien e sistemit komunist, vendet e Europës dhe Euroazisë, për herë të parë pas disa dekadash filluan të funksionojnë si vende me ekonomi tregu. Një prej sfidave ishte kryerja e tranzicionit me sa më pak kosto sociale, duke qenë se ato kishin trashëguar një ekonomi tërësisht të rrënuar gjatë sistemit komunist. Shtetet e Bashkuara, ofruan ndihmën e tyre.përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim ndërkombëtar, USAID.

Një grup diskutantësh në Qendrën Wilson ishin të një mendimi se ndihma amerikane dhe e partnerëve të tyre, ishte e domosdoshme për t'i kthyer ish vendeve komuniste normalitetin e jetës. Sot, pas 25 vjetësh rezultatet e kësaj ndihme janë të dukshme.

Disa nga këto vende siç ishin ato të ish-Jugosllavisë, menjëherë pas rrëzimit të komunizimit, përveç përballjes me ekonominë e tregut dhe me një sitem të ri politik, u ndodhën edhe në mesin e konflikteve ndëretnike, duke përjetuar skenarë të ndryshëm.

Senatori Chris Murphy, anëtar i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, tha se ndërsa sot flitet për koflikte të ngrira në vendet ish komuniste, 25 vjet më parë situata ishte krejt ndryshe:

“25 vjet më parë nuk kishim të bënim me konflikte të ngrira. Ishin konflikte shumë aktive, ku vriteshin çdo ditë njerëz. Ballkani po fillonte një luftë, e cila do të zgjaste gjatë gjithë dekadës së ardhshme. Sot, në Ballkan ne shqetësohemi për skena dhune në ndeshje futbolli në vend të luftës në fushat e betejës. Kjo u bë e mundur ngaqë në terren u morën vendime të guximshme nga udhëheqësit në Europë, në Europën Lindore, në Ballkan, por edhe në saje të ndihmës që kanë dhënë SHBA dhe partnerët tanë për të krijuar ekonomi të hapura dhe demokraci liberale në vende të cilat nuk e kishin njohur më parë këtë lloj qeverisjeje.”

Floreta Faber, ambasadore e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, tha se ndihma e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë e ndihmoi vendin të kapërcejë me sukses vështirësitë e mëdha, ku për 45 vjet kishte munguar tërësisht pluralizimi dhe çdo koncept i ekonomisë së tregut:

“25 vjet në parë Shqipëria vendosi marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara dhe USAID hapi zyrën e parë në Shqipëri. Një nga programet e asaj periudhe ishte ndihma që ju dha Shqipërisë për të kuptuar principet e demokracisë dhe ndërtimin e një sistemi politik pluralist, si dhe bazat institucionale e ligjore të ekonomisë së tregut. Na u desh një punë shumë e madhe për t’i mësuar njerëzit të kuptonin konkurencën e lirë, sistemin e taksave, eksportet, sistemin elektoral, shoqërinë civile, si të zhvillohej lobizmi, liria e shtypit etj. Por këto ndryshime nuk mund të ndodhnin brenda një dite. Fondi shqiptaro-amerikan i Zhvillimit, që filloi punën me 30 milionë dollarë, në fund arriti të kishte mbi 200 milionë dollarë për t'u investuar në Shqiperi, duke u bërë një nga fondet e zhvillimit më të suksesshëm në rajon."

Zonja Faber tha se edhe në saje të kesaj ndihme, Shqipëria është një histori suksesi: nga një vend plotësisht i izoluar Shqipëria sot është anëtar i NATO-s dhe një parnter i Shteteve te Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit.

Ivan Vejvoda, studjues në Fondin gjerman Marshall, tha se roli dhe ndihma e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian janë të nevojshme edhe sot, në ish vendet komuniste:

“Ka partnerë të domosdoshëm dhe vende të domosdoshme, dhe ata janë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Ky rajon i botës ka nevojë për këtë parnteritet, kjo është parë në të kaluarën dhe kjo duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.” - tha zoti Vejvoda.

Zoti Vejvoda, tha se SHBA përmes USAID-it i mësuan vendeve që kishin qenë në regjimin komunist, elementet e shoqërisë civile, se ata kishin të drejtën për të patur të drejta.

Pjesëmarrësit në diskutim ishin të mendimit se prania amerikane në ish vendet komuniste është veçanërisht e nevojshme në kushtet e rritjes së populizmit dhe rebelimit ndaj establishmentit në Europë. Në kushtet kur Rusia kërkon të rrisë ndikimin e saj tek ish vendet e bllokut të Lindjes, kur kriza e refugjatëce nga Lindja e Mesme ka prekur mbarë Europën dhe kjo e fundit e ka pakësuar me 25 përqind praninë e saj me ndihma për ish-vendet komunsite, ndihma amerikane atje është nevojshme të vazhdojë, të paktën edhe në 25 vjetët e ardhshëm.

Kjo ka për të qenë një nga çështjet kryesore me të cilat do të përballet administrata e re amerikane.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG