Lidhje

Lirimi i Berishës, nis hetimi për Dakon dhe gjyqtarët

  • Armand Mero

Në Shqipëri prokuroria e Durrësit njoftoi sot se ka nisur hetimet lidhur me vendimet e gjykatave dhe praktikën e ndjekur nga Bashkia e Durrësit për rastin e lirimit të ish kreut të Bandës së Durrësit Lulzim Berisha. Vendimi pasoi debatet që shkaktoi publikimi nga BIRN dhe Zëri i Amerikës i akteve që çuan në lirimin e Berishës mes të cilave dhe një letër e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Hapja e hetimeve ndaj zotit Dako u kërkua më herët nga Partia demokratike, e cila gjithashtu këmbëngul dhe për shkarkimin e tij. Kryebashkiaku i Durrësit në një reagim për rastin e cilësoi letrën drejtuar Gjykatës një procedurë rutinë.

Prokuroria njoftoi se nisi hetimet me iniciativën e saj për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me praktikat gjyqësore, gjithashtu edhe për praktikat administrative të ndjekura nga ana drejtuesve të Bashkisë së Durrësit, në bazë të të cilave është vendosur me lirimin me kusht të të dënuarit Lulëzim Berisha.

Prokuroria shpjegoi më tej se “në kuadër të këtij procedimi, po shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të dhëna në kohë të ndryshme për të dënuarin Lulzim Berisha nga gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, për përfitim të uljes së dënimit, përfitimit të amnistisë, si dhe ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit nga Burgu i sigurisë së lartë, në atë të zakonshëm”. Prokuroria e Durrësit thekson se “ka dyshime të arsyeshme që zyrtarë të caktuar mund të kenë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, me qëllim krijimin e kushteve për pranimin e kërkesës për lirim para kohe me kusht të Berishës”.

Më herët gjatë ditës, ishte Partia demokratike e cila i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm nisjen e hetimeve, por vetëm ndaj kryebashkiakut socialist Vangjush Dako, pas zbulimit të fakteve se Bashkia e Durrësit ofroi garanci për punësimin e ish kreut të ‘Bandës së Durrësit’ Lulzim Berisha, në procesin gjyqësor që çoi në lirimin me kusht të tij 10 ditë më parë. Në vendimin e Gjykatës së Apelit shkruhet se “Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat”.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha, shkoi vetë në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm për të dorëzuar kallzimin penal ndaj Dakos. Ndërsa në përfundim të një mbledhjeje me këshilltarët demokratë të Bashkisë së Durrësit, dhe deputetët e PD në këtë qytet, kërkoi dhe shkarkimin e kryebashkiakut socialist: “Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përdorur pushtetin dhe zyrën që i kanë besuar qytetarët e Durrësit për të liruar nga burgu një kriminel që ka vrarë dhe ka terrorizuar qytetarët e Durrësit. Vangjush Dako ka zgjedhur me vetëdije të bëhet njësh me krimin dhe kundër qytetarëve. Për këtë arsye, këshilltarët dhe deputetët demokratë të Bashkisë së Durrësit kanë vendosur t’i kërkojnë Kryeministrit Rama shkarkimin e menjëhershëm të Vangjush Dakos, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”.

Nga ana e tij, kreu i Bashkisë së Durrësit dha sot një shpjegim jo bindës për rekomandimin e lëshuar për Lulzim Berishën, duke folur për një procedurë rutinë. “Ne i ofrojmë çdo të dënuari që dënohet me punë vullnetare në komunitet, i ofrojmë mundëi punësimi në ndërmarrjet tona, me punë vullnetare, që do të thotë ata punojnë pa shpërblim nga ana jonë sepse kanë dënim nga gjykata. Nuk jemi në që vendosim. Gjykata i vendos në mënyrë të detyruar. Kërkesa ishte që familja ka apo jo sjellje të mirë në shoqëri. Ne pyetëm administratorët tanë dhe na thanë që nuk kanë probleme me komunitetin”, u shpreh Dako për gazetarët. Por shpjegimi i tij nuk përputhet me rastin e Lulzim Berishës. Ai është liruar me kusht dhe jo me detyrim për punë në komunitet, që përgjithësisht jepet për ata që kryejnë vepra penale që nuk paraqesin një rrezikshmëri shoqërore.

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Durrësit, dorëzuan në kryeministri kërkesën zyrtare për shkarkimin e tij. “Veprimet që duhet të marrë në ditët e ardhshme do ta tregojnë qartë se çfarë është dhe kë përfaqëson Edi Rama”, deklaroi zoti Basha.

Por nga foltorja e parlamentit kryeministri Edi Rama u përgjigj me një kundërakuzë ndaj opozitës, ndërsa po fliste për bllokimin e procesit të Vetingut pas ankimimit të Partisë Demokratike në Gjykatën Kushtetuese: “S’keni kurajon të tregoni me gisht se kush e liroi Lulzim Berishën, por vraponi të thoni e liroi Bashkia e Durrësit”.

Janë një seri vendimesh të debatueshme të dhëna nga disa gjykata të vendit në favor të Lulzim Berishësh, të cilat ngrejnë dyshime dhe për shkelje ligjore, që çuan fillimisht në ndryshimin e dënimit nga burg të përjetshëm, në 25 vite burgim, dhe më pas reduktime të njëpasnjëshme, deri në vendimin e 5 Dhjetorit të këtij viti për lirimin e tij me kusht.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG