Lidhje

Senatorët McCain dhe Graham vizitojnë shtetet balltike


Senatorët republikanë John McCainn dhe Lindsey Graham po vizitojnë shtetet balltike në përpjekje për të shuar shqetësimin e tyre lidhur me politikat e mbrojtjes që do të zbatojë administrata e presidentit Trump në kuadër të NATO-s. Dy senatorët i kanë bërë thirrje presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump të mbajë një linjë të ashpër ndaj Rusisë nisur nga qëndrimet e saj ndaj Ukrainës.

Senatorët republikanë John McCain dhe Lindsey Graham mbrritën sot në Estoni, vizitë që shihet si përpjekje për t’u dhënë sigurime shteteve baltike, të shqetësuara se presidenti i zgjedhur Donald Trump nuk do të jetë i angazhuar sa duhet në mbrotjen e tyre.

Gjatë fushatës, zoti Trump shkurajoi shumë njerëz në Estoni, Lituani dhe Letoni kur u shpreh se do të shohë kontributet e secilit vend në NATO përpara se të garantojë ndihmë.

Përfshirja e ushtrisë ruse në Ukrainë dhe Gjeorgji ka ushqyer frikën në Baltik se ish padroni i tyre sovjetik, mund të provojë diçka të ngjashme në këto shtete.

Senatorët McCain dhe Graham, që shquhen për një politikë mbrojtjeje agresive, i kanë kërkuar zotit Trump të mbajë një linjë të ashpër ndaj Rusisë, për shkak të asaj që e cilësojnë si “kapje territori” nga ana e Rusisë në Ukrainë.

“Kur shohim gjëra të tilla, si sulme kibernetike, që drejtohen nga Rusia, Kina dhe shtetë të tjera, kur shohim agresionin e vazhdueshëm mbi Krimenë dhe Ukrainën lindore, kur shohim kërcënim të vazhdueshëm mbi Gjeorgjinë, marrëdhënia jonë është ndoshta më e rëndësishme se sa ka qenë më parë”, tha senatori McCain gjatë një konference për shtyp.

“Mënyra më e mirë për të ndalur sjelljen e keqe të Rusisë është të kesh një ushtri të besueshme e të fortë dhe një aleancë të fortë në kuadër të NATO-s, pjesë e rëndësishme e së cilës është edhe Estonia”, shtoi ai.

Dy senatorët bënë thirrje për një panel dy palësh që të hetonte sulmet kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara, përfshirë përpjekjet që mendohet se ka bërë Rusia për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.

“ Nuk ka dyshim që rusët kanë kryer sulm kibernetik. Por ka dyshime nëse kjo ka patur ndikim në rezultatin e zgjedhjeve. Nuk ka asnjë të dhënë deri tani se sulmi kibernetik rus dhe rrjedhja e informacionit, patën një efekt të prekshëm në rezultatin e zgjedhjeve”, tha senatori McCain.

Dy senatorët do të shkojnë të mërkurën në Letoni dhe të enjten në Lituani ku do të takohem me zyrtarë të lartë të këtyre vendeve.

XS
SM
MD
LG