Lidhje

Kabineti i zotit Trump dhe  konfirmimi nga Senati


U.S. Senate Majority Leader Mitch McConnell, R-Ky., (left) welcomes retired U.S. Marine Corps General James Mattis, President-elect Donald Trump's nominee to be Defense Secretary, in his office at the Capitol in Washington, Dec. 7, 2016.

Edhe para inaugurimit të zotit Donald Trump si presidenti i ardhshëm më 20 janar, Senati do të fillojë shqyrtimin e kandidaturave të tij për postet kryesore të administratës. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman, demokratët kanë shprehur mosbesim të madh lidhur me përzgjedhjet e zotit Trump, por pa përkrahjen e republikanëve, ata nuk kanë fuqinë e duhur për të bllokuar emërimet.

“Mendoj se do të jetë një prej kabineteve më të mira ndonjëherë”

Në zgjedhjen e këshilltarëve të tij të ngushtë, zoti Trump u mbështet tek drejtuesit e korporatave, ushtria dhe radhët e nëpunësve publikë me prirje konservatore, pro-biznesit.

Ndoshta asnjë i emëruar nuk ka tërhequr më shumë vëmendje se sa drejtori i kompanisë Exxon Mobile, Rex Tillerson, si kandidat për sekretar shteti.

“Mardhëniet e mia me Vladimir Putinin datojnë rreth 15 vite më parë, ai e kupton se unë jam biznesmen. Kompania ime ka investuar shumë para në Rusi.”

Ligjvënësi demokrat Chris Coons thotë:

“Do të bëjmë shumë pyetje dhe të shohim se çfarë përgjigjesh do të japë zoti Tillerson.”

Senatori Chris Coons shërben në Komisionin e Senatit për Mardhëniet me Jashtë, që do të shqyrtojë kandidaturën e zotit Tillerson.

“Ka republikanë dhe demokratë që do të bëjnë pyetje në lidhje me konflikte të mundshme interesi të zotit Tillerson, rreth miqësisë së tij të gjatë dhe të ngushtë me Vladimir Putinin dhe Rusinë. Në lidhje me aftësitë e tij për të balancuar kërkesën e të qënit diplomat dhe për të luftuar për interesat e Amerikës, me përvojën e tij të gjatë në drejtimin e një kompanie energjitike.”

John Hudak është me Institutin Brookings.

“Seancat e konfirmimit, të paktën disa prej tyre, do të jenë shumë të ashpra. Si të thuash kjo do të jetë prova e parë e zotit Trump në marrëdhëniet me kongresin.”

Shumica e senatorëve republikanë po shprehin mbështetje mbi përzgjedhjet e zotit Trump. Senatori republikan Mitch McConnell:

“Emërimet deri tani kanë qënë mbresëlënëse. Jam optimtist se ata do të konfirmohen.”

Republikanët kanë një shumicë të vogël në Senat dhe nëse mbeten të bashkuar, ata mund t’i konfirmojnë emërimet e zotit Trump.

“Senatorët e kuptojnë se atyre u duhet të punojnë me presidentin

gjatë viteve të ardhshme. Mënyra më e lehtë për të dëmtuar marrëdhëniet me shefin e partisë tënde është që t’ia vështirësosh konfirminin e të emëruarve të tij”, thotë analisti John Hudak.

Ndërkohë, demokratët do të shfrytëzojnë seancat e konfirmimeve për të bërë pyetje të vështira ndaj të emëruarve me shpresën për të ndikuar tek opinioni publik dhe tek disa republikanë. Në bazë të kushtetutës, senatorët ofrojnë “këshilla dhe japin pëlqimin” për të emëruarit – detyrë që demokratët thonë se e marrin seriozisht.

“Një prej karakteristikave të demokracisë amerikane është ndarja e pushteteve mes ekzekutivit dhe legjislativit”, thotë senatori demokrat Chris Coons.

“Demokratët në senat nuk mund të bëjnë gjë pa mbështetjen e dy apo tre republikanëve”, thotë analisti Hudak.

Aktualisht, zoti Trump po ngre lart të emëruarit e tij, duke e cilësuar zotin Tillerson si “mbështetës të fortë të interesave amerikane në botë”.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG