Lidhje

Opozita: 5 kushte për zgjedhjet e 18 Qershorit


Në Shqipëri Partia demokratike, dhe 22 parti të tjera opozitare nënshkruan sot një memorandum me 5 kushte, realizimi i së cilave do të garantonte sipas tyre një proces sipas standarteve ndërkombëtare në zgjedhjet e 18 qershorit. Dokumenti thekson se përmbushja e këtyre kushteve është një minimum i domosdoshëm dhe i pakapërcyeshëm për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm.

Opozita, kushte për procesin zgjedhor
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:49 0:00

Pas takimit të javës së shkuar me partitë aleate parlamentare, për çështjen e Reformës zgjedhore, Kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha organizoi sot një tryezë të gjerë me 22 parti që janë në opozitë. “Duke vlerësuar se fenomeni i shit-blerjes së votës dhe korrupsionit zgjedhor, përfshirë korruptimin e komisionerëve zgjedhorë, me para kriminale rrezikojnë seriozisht procesin dhe standartet e tij” dhe duke akuzuar shumicën se “ka zvarritur cështjen e reformës zgjedhore”, partitë opozitare nënshkruan një memorandum ku përcaktohen 5 kushte realizimi i së cilave do të garantonte që zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit të zhvillohen sipas standarteve ndërkombëtare.

Kushti i parë për opozitën mbetet “realizimi i identifikimit biometrik të zgjedhësve, votimi elektronik dhe numërimi elektronik i votave nëpërmjet një sistemi të aplikuar në shkallë vendi që integron në një proces të tre komponentët e mësipërm”.

Kushti i dytë lidhet me “zbatimin me intensitet dhe shpejtësi të procesit të dekriminalizimit lidhur me kandidaturat” që do paraqiten në zgjedhjet e ardhshme, por dhe “dekriminalizimin e strukturave të fushatës zgjedhore të partive, largimin e bandave dhe elementëve kriminalë nga procesi zgjedhor, nga fushata dhe veçanërisht nga prania e tyre ditën e zgjedhjeve”, thekson dokumenti i opozitës.

Në të kërkohet gjithashtu “të ulet kostoja e fushatës zgjedhore nëpërmjet reduktimit drastik të shpenzimeve për fushatë, të bëhet transparencë efikase e shpenzimeve dhe burimeve të financimit, të forcohen ndalimet për financimin e partive dhe të forcohen penalitetet në Kodin Penal, përfshirë cilësimin e shit-blerjes së votës si krim i rëndë”.

Një tjetër kusht ka të bëjë me ndalimin e “përdorimit të burimeve njerëzore të administratës publike në fushatë apo strukturat zgjedhore partiake si dhe të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve materiale të administratës publike”. Ndërsa kushti i fundit është “garantimi i aksesit të drejtë në media dhe mbulimi mediatik si dhe reduktimi dhe normimi i hapësirës publicitare në fushatë zgjedhore, me qëllim sigurimin e një fushate të drejtë”.

Në tekstin e memorandumit, partitë e opozitës theksojnë se “përmbushja e kushteve të mësipërme është një minimum i domosdoshëm dhe i pakapërcyeshëm për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm, të besueshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Mospërmbushja e tyre është tregues i qartë që zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë zgjedhjet që kërkojnë shqiptarët dhe që hapin rrugën e integrimit europian”, nënvizon dokumenti.

Mbi tekstin e memorandumit kryetari Basha diskutoi dhe me grupin e tij parlamentar ku pati dhe ide për bojkotimin e parlamentit, të cilat megjithatë nuk u mbështetën, duke vendosur që opozita të intensifikojë luftën e saj në parlament për këtë cështje.

Javën e shkuar shumica dhe opozita u përlasën në Komisionin e Reformës zgjedhore lidhur me votimin dhe numërimin elektronik. Opozita këmbënguli që ekspertët e komisionit të sjellin propozimet lidhur me modelet që mund të zbatohen. Por përfaqësuesit e Partisë socialiste kërkuan që më parë të merrej një vlerësim nga OSBE/ODIHR-i, nëse diçka e tillë ishte e mundshme, duke kujtuar këtu dështimin në vitin 2013 të një projekti pilot mbi votimin dhe numërimin elektronik.

Çështja e reformës zgjedhore u bë objekt diskutimesh edhe në seancën e hapjes së sesionit të ri të parlamentit, sot në mbrëmje. Kryetari i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka lexoi memorandumin me kërkesat e partive opozitare. Homologu i tij i shumicës Gramoz Ruçi u përgjigj duke deklaruar se opozita po nxjerr alibi politike duke këmbëngulur vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve për votimin elektronik. Megjithatë ai u shpreh se “ne jemi sërish të hapur. Kryesia e parlamentit, dhe bashkëkryetarët e komisionit të reformës, të thërrasin përfaqësuesit e OSBE/ODIHR-it e t’u kërkojmë mendimin. Nëse japin garanci, ne si shumicë jemi plotësisht dakort. Ndryshe kjo është e gjitha një alibi politike”, u shpreh zoti Ruçi.

Por sipas përfaqësuesit demokrat në Komisionin e reformës, Oerd Bylykbashi opozita i ka paraqitur propozimet e saj që majin e vitit të shkuar “ndërsa shumica tërhoqi këmbën zvarrë. Ju thjesht nuk doni zgjedhje. Nuk ka zgjidhje tjetër”, u shpreh ai. E menjëhershme përgjigja e përfaqësuesit socialist në Komision Taulant Balla duke kujtuar deklaratat e zotit Bylykbashi në vitin 2012 kur diskutohej për përodrimin e tekonologjisë në votimet e 2013. “Në atë kohë zoti Bylykbashi thoshte se votimi nuk mund të implementohet pa dy vjet përgatitje dhe pa një projekt pilot”, theksoi deputeti Balla.

Një raport i një eksperti të lartë për zgjedhjet, Jessie Pilgrim, i marrë nga OSBE-ja për të asistuar Komisionin e Reformës zgjedhore, dorëzuar dy bashkëkryetarëve në fund të viti të shkuar thekson se është shumë vonë që komisioni të trajtojë të gjitha rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë duke nënvizuar se në kohën e mbetur mund të trajtoheshin megjithatë cështjet që lidhen me transparencën e financimeve në fushatë, forcimin e kushteve për barazinë gjinore në listat e kandidatëve, ashpërsimin e sanksioneve për rastet e shkeljes së ligjit dhe përmirësimn e dispozitave që lidhen me mbulimin mediatik të fushatës. Vetë OSBE-ja prej kohësh ka bërë thirrje të përsëritura forcave politike që të angazhohen për reformën, por vetëm javët e fundit palët duket se kanë nisur të lëvizin, ndërkohë që diferencat mes tyre mbeten të thella.

XS
SM
MD
LG