Lidhje

AI, ligjet anti-terror minojnë liritë themelore në Evropë

  • Henry Ridgwell

Organizata Amnesty International thotë se një mori ligjesh anti-terror në Evropë, po minojnë liritë themelore.Por shtetet evropiane thonë se masat e sigurisë janë jetike për të luftuar kërcënimin terrorist pas një seri sulmesh vdekjeprurëse në Francë dhe vende të tjera.

Amnesty International thotë se ligjet kundër terrorit po e çojnë Evropën drejtë një gjendjeje të rrezikshme me masa sigurie të rrepta dhe të përhershme. Kartik Raj është me Amnesty International.

“Kemi kaluar nga një pozitë në të cilën e kuptuam se shtetet duhet të garantojnë siguri në mënyrë që njerëzit të gëzojnë të drejtat e tyre, në një botë ku shtetet po kufizojnë të drejtat bazuar me argumentin se gjoja u duhet ta bëjnë këtë për të garantuar sigurinë.”


Evropa po mëkëmbet pas një serie sulmesh terroriste gjatë dy vjetëve të fundit. Në nëntor të vitit 2015 vrasjet masive dhe shpërthimet në Paris bënë që Franca të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme.

Kjo çoi në anulimin e demonstratave, vendosjen e ndalim-qarkullimeve, vënien e të dyshuarve nën arrest shtëpiak dhe bastisjet pa urdhër gjykate.

Kryeministri Bernard Cazeneuve njoftoi dy muaj më parë se gjendja e jashtëzakonshme do të zgjatet për herë të pestë, duke shtuar se është absolutisht e nevojshme për të siguruar nivelin më të lartë të mbrojtjes për qytetarët francezë.

“Secili prej nesh duhet të ketë në mendje realitetin në të cilin jetojmë sot, me një nivel të lartë kërcënimi terrorist.”

Por organizata thekson se këto pohime janë abuzim me pushtetin, përfshi arrestet shtëpiake të më shumë se 20 aktivistëve para bisedimeve për klimën në Paris në nëntor 2015, vetëm disa ditë pas sulmeve të Shtetit Islamik në këtë qytet.

“Franca është themeluar me një kulturë dhe histori të njerëzve që dalin në rrugë dhe protestojnë për të sjellë ndryshim. Dhe duket veçanërisht ironike që në gjendjen e jashtëzakonshme, disa nga këto parime bazë hidhen nga dritarja”, thotë Kartik Raj me Amnesty International.

Amnesty kritikoi gjithashtu Hungarinë se ka miratuar ato që i quan disa nga ligjet e sigurisë më të rrepta në Evropë. Në shtator 2015, një grup imigrantësh depërtoi në një pikë kufitare pasi hodhi gurë drejt policisë.

Një prej tyre, Ahmed Hamed, sirian me banim në Qipro, që kishte shkuar për të ndihmuar prindërit e tij të moshuar drejt këtij udhëtimi, u arrestua dhe u dënua me 10 vjet burg nën akuzat për terrorizëm..

“Kjo sfidon çdo normë të kuptimit të aktit të terrorizmit”, thotë Kartik Raj me Amnesty International.

Duke folur para dhënies së dënimit në nëntor, kryeministri hungarez Viktor Orban tha se qeveria thjesht po zbaton ligjet ekzistuese.

“Hungaria do të bëjë gjithçka për të ndalur këdo të hyjë dhe të qëndrojë në vend ilegalisht, duke shkelur ligjet hungareze.”

Raporti i Amnesty International vjen ndërsa Bashkimi Evropian pritet të miratojë një direktivë të re për të standartizuar ligjet kundër terrorizmit, që blloku pretendon se janë jetike për të luftuar kërcënimin që i kanoset kontinentit.

XS
SM
MD
LG