Lidhje

Biden bën thirrje për luftë kundër kancerit


Zëvendëspresidenti Joe Biden i ka bërë thirrje administratës së ardhshme amerikane të vazhdojë mbështetjen për luftën kundër kancerit. Kanceri i trurit i mori jetën të birit, Beau, dhe zoti Biden nuk mori pjesë në garën presidenciale. Ai foli dje në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër, një ditë para çeljes së konferencës vjetore.

Zoti Biden u është bashkuar udhëheqësve politikë dhe ekonomikë, ekspertëve të teknologjisë dhe personaliteteve që janë mbledhur këtë javë në Davos-in turistik për të diskutuar çështje globale, avancimet teknologjike, sigurinë dhe çështje të tjera me interes publik.

Në fjalën e tij, zoti Biden i bëri thirrje administratës së ardhshme të mbështesë nismën e tij që synon eliminimin e kancerit.

“Kam biseduar me zotin Mike Pence, një njeri i mirë që për pak ditë bëhet zëvendëspresident, mbi dëshirën time që të bashkëpunojmë për t’i dhënë fund kancerit. Lutjet e mia janë që ata ta bëjnë këtë”, tha ai.

Forumi Ekonomik Botëror, i krijuar në vitin 1971, mblidhet ndërsa në botë po shtohen ndjenjat populiste dhe anti-emigracionit.

“Takohemi në një moment të jashtëzakonshëm historik. Jemi në mes të një transformimi të thellë, shpesh të llojit përçarës, të modeleve të biznesit, ekonomive, shoqërive dhe politikës”, deklaroi zoti Klaus Schwab.

Themeluesi i Forumit thotë se këto zhvillime janë cytur nga pakënaqësia e një brezi të ri dhe nga frika për të ardhmen.

“Së pari duhet të rikrijojmë besimin tek e ardhmja. Shpesh, duket sikur bota është mbizotëruar nga pesimizmi dhe cinizmi. Duhet të hedhim vështrimin drejt së ardhmes me shumë vetëbesim”, tha zoti Schwab.

Forumi nderoi dje violinisten gjermane Anne-Sophie Mutter, këngëtaren Shakira dhe aktorin amerikan Forest Whitaker, për përpjekjet e tyre kundër urisë në botë, për nxitjen e arsimit, paqes dhe pajtimit.

“Progresi ndodh kur njerëzit e zakonshëm bashkohen për të ndryshuar botën”, tha zoti Whitaker.

Në listën e të ftuarve të këtij viti janë edhe Sekretari i Shtetit, John Kerry, ish-Zëvendëspresidenti Al Gore, Presidenti kinez Xi Jinping dhe shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde.

XS
SM
MD
LG