Lidhje

Një Europë ndryshe pas fluksit të imigrantëve dhe sulmeve terroriste


Fluksi i imigrantëve dhe sulmet e luftëtarëve të ISIS-it në disa qytete europiane janë duke i dhënë një tjetër pamje Europës. Rezultati i zgjedhjeve të ardhshme në Francë dhe Gjermani mund t'i reflektojë këto ndryshime shumë të rëndësishme në mbarë kontinentin, si dhe do të japë një ide më të qartë për ndarjen politike të Europës.

Sulmet e frymëzuara nga ISIS, si ai në Berlin, në muajin dhjetor, duket se e kanë ndryshuar mbështetjen e mëparshme të publikut europan për imigrantët. Kjo situatë, e kombinuar me fuqizimin e partive populiste kundër establishmentit, po shton shqetësimet mbi ndarjen politike të Europës. Kjo përbën sfida të rëndësishme për europianët, siç janë:

“…sfidat, nga ISIS-i natyrisht, edhe nga radikalizimi. Dhe jo vetëm radikalizimi; së bashku me imigrantët hyjnë edhe njerëz të tjerë me synime për të kryer sulme ndaj popullsisë europiane ..." - thotë analisti Daniel Kochis.

Mes europianëve ekziston një perceptim se kufiri me jashtë i Bashkimit Europian është i keq menaxhuar, thotë analisti Marian Tupy në institutin Cato:

“Njerëzit vazhdojnë të hyjnë në Europë pa kontrollet e nevojshme të sigurisë. Si pasojë, unë pres që besimi i europiaëve tek institucionet e tyre do të vazhdojë të prishet."

Udhëheqësi europianë, të cilët i kanë mirëpritur imigrantët dhe të cilët kandidojnë për t'u rizgjedhur, sikurse Angela Merkel në Gjermani, përballen me sfidat më të mëdha në karrierën e tyre, thotë Iain Murray, i Institutit të Ndërmarrjeve Kompetitive:

“Unë mendoj se kjo çëshje ka për të qenë një disavantazh në fushatat e tyre zgjedhore. Në mbarë Europën, ekziston një ndjenjë kundër imigrantëve, ndryshe nga dy vjet më parë. Mendoj se gjërat kanë ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme, dhe ka për të qenë shumë e vështirë për udhëheqësit europianë që të rizgjidhen."

Politika e zonjës Merkel për t'u hapur dyert imigrantëve, është duke i kushtuar asaj një pjesë të mbështetjes elektorale. Por deri tani, zonja Merkel udhëheq garën ndaj një partie politike kundër imigracionit dhe kundër establishmentit, në prag të zgjedhjeve të shtatorit.

Në Francë, Marine Le Pen e Partisë "Fronti Kombëtar", udhëheq garën presidenciale të muajit prill. Kryeministri italian Matteo Renzi dha dorëheqjen në dhjetor, pasi humbi në referendum ndaj partive populiste dhe nacionaliste.

Presidenti Donald Trump e cilësoi politikën e emigracionit të zonjës Merkel "një gabim katastrofik" dhe fajësoi valën e imigrantëve për votën e britanikëve në favor të Brexit-it.

Por ata që e shikojnë zgjidhjen tek një Europë më e mbyllur, nuk mund të injorojnë shenjat e një zhgënjimi të thellë ndaj statukuosë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG