Lidhje

Francë: Kandidati Macron dhe dyshimet për Rusinë


Në Francë, kandidati për president Emmanuel Macron e ka rritur reputacionin ndërkombëtar me një vizitë që bëri të hënën në Algjeri, ish-koloni franceze.

Ndërkohë, ndihmësit e tij thonë se grupet ruse po ndërhyjnë në fushatën e zotit Macron.

Disa zyrtarë të fushatës, pa ofruar prova, fajësuan mediat ruse dhe hakerët rusë se po përpiqen të manipulojnë rezultatet e votimit në zgjedhjet presidenciale franceze që zhvillohen më 23 prill dhe 7 maj.

Menaxheri i fushatës, Richard Ferrand, i tha televizionit France 2 se televizionet shtetërore ruse transmetojnë çdo ditë lajme të rreme lidhur me zgjedhjet franceze dhe shtoi se fushata e zotit Macron dhe baza e tij e të dhënave janë ndeshur me “qindra apo mijëra” sulme kibernetike që burojnë nga Rusia.

Ekspertët nuk janë impresionuar nga këto pohime që nuk mbështeten mbi prova konkrete.

Gerome Billois, specialist i kibernetikës në firmën konsulente Wavestone të Parisit, thotë se duhen shumë prova për të përcaktuar se sulmet kibernetike e kanë burimin në Rusi.

“Ne nuk kemi informacion teknik për të ditur nëse kjo po ndodh me të vërtetë,'' tha ai. “Sot është e mjaft e lehtë të përvetësosh një adresë interneti.”

39-vjeçari Macron, ish-bankier i investimeve dhe ish-ministër i ekonomisë, u prit nga kryeministri algjerian Abdelmalek Sellal dhe Ministri i Jashtëm Ramtane Lamamra pas mbërritjes në Algjer.

Macron vlerësoi përpjekjet e vendit me shumicë muslimane për të luftuar terrorizmin, gjatë luftës civile të viteve 1990, duke thënë se “Islami nuk është një fe terroriste.”

Macron është ndër kandidatët kryesorë në zgjedhjet presidenciale të Francës, së bashku me Marine Le Pen, udhëheqëse e Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë.

XS
SM
MD
LG