Lidhje

SHBA dhe çështja e radikalizimit


Sipas një raporti të Departamentit të Sigurisë Kombëtare shumica ekstremistëve me origjinë të huaj, që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, nuk kanë qenë të radikalizuar në momentin kur kanë hyrë në Amerikë.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka shqyrtuar historinë e 88 personave të lindur jo në Amerikë, të përfshirë në aktivitete terroriste nga marsi i vitit 2011 deri në dhjetor 2016.

Raporti vëren se shumica e tyre kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara për më shumë se 10 vjet përpara se ndaj tyre të jenë ngritur akuza për krime të rënda apo të jenë vrarë për shkak të përfshirjes në akte terroriste.

Sipas dokumentit, më shumë se gjysma e këtyre 88 ekstremistëve ishin në moshën 16 vjeç kur kanë mbërritur në Amerikë.

Dokumenti ve në dukje se faktorët që kanë ndikuar në radikalizimin e shtetasve të huaj kanë qenë të njejtë me ata të radikalizimit të shtetasve amerikanë. Veç rastit të 88 shtetasve të huaj, autoritetet kanë shqyrtuar edhe rastet e 116 shtetasve amerikanë të radikalizuar.

Të dy grupet ekstremistë të lindur në Amerikë apo jashtë, kanë “përvoja dhe ankesa” të ngjashme, që i kanë çuar drejt radikalizimit. Kjo përfshin sipas dokumentit, “padrejtësinë e perceptuar kundër myslimanëve në vend dhe jashtë”, për shkak të politikave amerikane, të ndjerit të zemëruar e të izoluar si dhe të qënit dëshmitar në akteve të dhunës, kur kanë qenë fëmijë.

Dokumenti bëhet publik në një kohë kur pritet që presidenti Trump të lëshojë një urdhër të ri ekzekutiv që ndalon udhëtimin nga vende të prirura për terrorizëm si dhe të kufizojë programin e refugjatëve.

XS
SM
MD
LG