Lidhje

Satira politike dhe karikaturisti Matt Wuerker


Satira politike i ka rrënjët në Greqinë e lashtë, 2400 vjet më parë kur Aristofani tallej me Luftrat Peloponeze. Ajo zë një vend të rëndësishëm në emisionet variete çdo natë në televizionin amerikan, si dhe në faqet e shumë gazetave, ku karikaturistët e suksesshëm arrijnë të hedhin thumba shpëtitës me një lëvizje të penelit. Korrespondentja Anush Avetisyan ka intervistuar një karikaturist të njohur:

Askush nuk i shpëton hostenit të Matt Wuerker. Ai është karikaturist për faqen mediatike Politico që ndjek nga afër jetën politike në Uashington: kongresin, median, lobistët dhe presidencën.

“Isha me fat pasi kalova vitet e formimit në Los Anxhelos gjatë viteve 1960 dhe 1970. Paul Conrad, i cili ishte karikaturist për gazetën Los Angeles Times u bë shembull për mua. Ai mori famë, ndër të tjera, edhe për faktin që ishte i vetmi karikaturist në listën e armiqve që kishte përpiluar Presidenti Nixon. Në vitet 1960, kur vendi ishte përfshirë nga trazira politike, unë isha në shkollë të mesme dhe e ndiqja punën e tij. Gjithmonë mendoja: ky njeri pikturon këto karikatura me humor, i boton në gazetë dhe është bërë armik me presidentin. Ai ka një punë shumë interesante. Si ta zë edhe unë një punë të tillë?” – tregon Wuerker.

Tani Wuerker është vetë karikaturist i nderuar me Çmimin Pulitzer. Ai ka një rubrikë që e ilustron me një stil “me humor, me thellësi, por pa zhurmë.”

“Në këtë pikë sapo kishte lindur ideja. Ishte momenti kur po rrëzonin Mubarakun nga pushteti dhe më erdhi në mendje të bëja diçka me Sfinksin. Më pas mendova të vija Xhaxha Sam-in, një figurë që simbolizon Shtetet e Bashkuara, duke e ngarë si të ishte mbi kalë, për të ilustruar marrëdhëniet e Uashingtonit me Mubarakin. Pastaj shkrova diçiturën,” tregon karikaturisti.

Ai bëri një karikaturë edhe në natën e zgjedhjeve presidenciale, një ngjarje që ai e quan moment makthi për karikaturistët.

“Nuk e di si punojnë në redaksi të tjera, por këtu tek Politico, të gjithë u shtangëm. Ne të gjithë, gazetarët më të zgjuar në botë, menduam se e dinim çfarë do të ndodhte. Por pastaj ndodhi çudia. Për muaj me radhë rrija e mendoja si do ta pasqyroja këtë natë historike kur një grua të zgjidhej presidente dhe e kisha parashikuar të bëja një skenë boksi, ku Hillary Clinton qëndron mbi Donald Trumpin në mes të ringut. Nga ora 8-9 e mbrëmjes e kuptova që duhet të gjeja një ide të re. Përfundova me një karikaturë të frymëzuar nga opereta: Dyqani i Vogël i Tmerreve, ku Donald Trumpi është një bimë mishngrënëse që gëlltit çdo gjë që ka rrotull dhe prezantohet me përshëndetjen ‘Mirëmëngjes Amerikë’”.

Nuk ka rëndësi si duken punët në Uashington, Wuerker ulet çdo ditë në tryezën e punës, merr lapsin në dorë dhe fillon t’u japë formë në letër ideve të mprehta të ditës. Por duket që për katër vitet në vazhdim nuk kanë për t’i munguar temat.

“Shumë politikanë amerikanë, ata më të zgjuarit, e kuptojnë se satira politike është pjesë e procesit politik; ata e mirëpresin dhe janë në gjendje të vënë në lojë edhe veten. Nuk mendoj se Donald Trumpi do të jetë një prej tyre, megjithëse do të ishte një veprim shumë i zgjuar nga ana e tij nëse do t’i ftonte karikaturistët në Shtëpinë e Bardhë që ta vinin në lojë me karikatura, për të treguar se di si të tallet me veten, pasi deri tani ka treguar se nuk e ka këtë dhunti”.

Punimet e këtij karikaturisti kanë thumbuar politikanë që nga koha e Jimmy Carterit. Në këto dekada politika i ka “zaptuar” jetën. Ai thotë se tani idetë më të mira i lindin në gjumë.

XS
SM
MD
LG