Lidhje

Tiranë: Qarqet e biznesit kërkojnë rishikimin e taksave


Në Tiranë, Forumi Kombëtar i Biznesit kërkoi të rishikohen disa taksa për të përmirësuar klimën e zhvillimit të biznesit dhe për t'i bërë të krahasueshme me vendet fqinje.

Ata kërkuan uljen e tvsh-së dhe dialog të vazhdueshëm me administratën tatimore, në kushtet kur ligjet dhe rregullat ndryshojnë shpesh.

Forumi kombëtar i biznesit dhe Qendra shqiptare për kërkime ekonomike publikuan sot në një konferencë Axhendën kombëtare të biznesit, e cila sipas tyre është një platformë për të ndërtuar dialogun mes politikanëve dhe qarqeve të biznesit mbi çështjet problematike të tyre në Shqipëri.

Forumi i kërkoi drejtorisë së tatimeve të realizojë kontrollet tatimore bazuar në analizën e riskut për të gjitha rajonet e Shqipërisë.

Forumi kombëtar i biznesit kërkoi po ashtu që, në bashkëpunim me organizatat e biznesit, të organizohen tryeza informimi lidhur me përditësimin e ndryshimeve ligjore dhe çdo përmirësim të procedurave tatimore, krahas publikimit elektronik të vendimeve.

Forumi i kërkoi ministrisë së financave dhe asaj të ushqimit që të ulin taksën e vlerës së shtuar për sektorin bujqësor dhe atë turistik nga 20% në 10% dhe të rishikohet në tërësi ligjin për tvsh-në.

Ai kërkoi po ashtu që të diskutohet një strategji për zbutjen e informalitetit dhe që norma e tatimit mbi fitimin të kthehet në 10%, e krahasueshme kjo me vendet fqinje.

Forumi kombëtar i biznesit kërkoi të ndërtohet një dialog periodik publik-privat dhe sekretariate teknike për të kryer kërkime, analiza, raporte dhe rekomandime të bizneseve mbi problemet që ata hasin.


Facebook Forum

XS
SM
MD
LG