Lidhje

Propozimet e LSI-së, Rama takon Metën

  • Armand Mero

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama pati sot një takim me aleatin e tij, kryetarin e Lëvizjes socialiste për Integrim Ilir Meta. Takimi vjen pas qëndrimit të LSI-së për një Qeveri të re besimi si një zgjidhje për krizën e krijuar nga protesta e opozitës e cila nuk pranon të futet në zgjedhje me një ekzekutiv të drejtuar nga zoti Rama. Palët kanë vijuar më pas bisedimet ndërsa në godinën e qeverisë ku zoti Rama kishte mbledhur disa përfaqësues të partisë së tij, ka shkuar dhe përfaqësuesi i LSI-së Petrit Vasili:

Pas 90 minutash qëndrimi në zyrën e kryetarit të parlamentit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama u largua për të vijuar bisedat me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Ky është takimi i dytë mes dy udhëheqësve të koalicionit qeverisës, pas darkës të dielës. Por në mes të këtij harku kohor shumë gjëra kanë ndryshuar. Të hënën LSI-ja doli me propozime konkrete që pavarësisht terminologjisë, ishin në linjë me kërkesat e opozitës: një “Qeveri besimi”ku zoti Rama mund të jetë kryeministër vetëm nëse arrin të bindë opozitën, dhe paralajmërimi i qartë se zgjedhjet pa opozitën do të ishin një farsë në të cilën LSI-ja nuk pranon të bëhet palë.

I njejti qëndrim u mbajt mbrëmë dhe nga deputetja Mesila Doda, e PDIU-së, aleatit tjetër të së majtës, duke kufizuar në këtë mënyrë dhe më shumë zgjidhjet e kryeministrit. Ky i fundit, u përgjigj dje me tone të moderuara ndaj LSI-së, por bëri të qartë gjithashtu se nuk tërhiqet e për pasojë zgjedhjet do të duhet të mbahen më 18 qershor dhe se cështja e qeverisë është e lidhur me vullnetin e shumicës që e ka zgjedhur.

Se çfarë kanë biseduar sot të dy drejtuesit kryesor të së majtës kjo është e paqartë, por mesa duket palët kanë lënë ende hapësira për diskutime. Zoti Rama pati konsultime me një sërë bashkëpunëtorësh të tij, dhe pas mesditës në godinën e qeverisë hyri dhe Petrit Vasili, përfaqësues i lartë i LSI-së dhe i pranishëm dhe në darkën mes kryeministrit dhe zotit Meta.

Marrëdhëniet mes dy partnerëve janë në pikën më të ulët, dhe ndarjet janë shumë të thella. Propozimet e LSI-së nuk lënë shumë shtigje zgjidhjesh alternative, sikundër dhe pozicioni i zotit Rama. Megjithatë duket sikur ka një përpjekje për të shpëtuar martesën e tyre të vështirë nga një divorc përfundimtar.

Ndoshta kësaj i druhet opozita e cila dje nuk shfaqi ndonjë entuziazëm për qëndrimin e zotit Meta, ndërsa sot kreu i saj Basha theksoi se nëse do të ketë dialog ai nuk do të jetë një pazar i pisët mes politikanësh të shumicës dhe opozitës, “por do të jetë dialogu politik që përmes standardit europian për zgjedhje të lira dhe të ndershme - themeli i gjithçkaje - përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do ti japë fund njëherë e përgjithmonë republikës së vjetër, rrugëve të vjetra, mënyrave të vjetra dhe gjithçkaje të kalbëzuar në këtë vend”, nënvizoi zoti Basha.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG