Lidhje

Paris: Ekspozitë mbi racizmin


Një ekspozitë që eksploron psikologjinë që shtrihet pas racizmit, synon të hedhë dritë mbi arsyet përse aktet raciste në Francë janë në rritje.

Ekspozita me titullin "Ne dhe të Tjerët, Paragjykimet e Racizmit", është hapur në Muzeun e Njerëzimit në Paris.

Ekspozita "Ne dhe të Tjerët, Paragjykimet e Racizmit” i hedh një vështrim historisë së racizmit, përparimit si edhe sprapsjeve që janë bërë dhe synon të edukojë njerëzit kundër paragjykimeve.

Raftet me tekste shkencore të periudhës kolonialiste franceze tregojnë sesi fëmijëve iu mësohej hierarkia mes racave të ndryshme.

Ka gjithashtu produkte dikur mjaft popullore që tregojnë sa zakonshëm lejohej racizmi në shoqëri.

Ekspozita vjen në një moment të parashikueshëm – gjatë një fushate përçarëse presidenciale që është mbërthyer nga retorika kundër fesë islame.

"Duam t’u drejtohemi të gjithë qytetarëve tanë dhe t’i lejojmë ata të përdorin një mendim kritik dhe të kuptojnë si ndodhën ngjarjet në të kaluarën, dhe si kemi arritur në këtë pikë. T’i lejojmë ata të jenë më kritikë ndaj shoqërisë ku jetojmë. Kush janë aktorët që na inkurajojnë të shkojmë në këtë drejtim, cilët janë ata që përdorin thënie raciste, cilat janë sfidat ekonomike dhe politike, çfarë fshihet pas tyre? Duket se kur arrijmë të kuptojmë mekanizmat e racizmit, mund të bëhemi më vigjilentë”, thotë Carole Reynaud-Paligot, historiane dhe kuratore e ekspozitës.

Ekspozita riviziton momente të errëta historike përfshi racizmin në Shtetet e Bashkuara, regjimin kolonial francez dhe Holokaustin.

Në një pjesë të ekspozitës tregohet një gyp metali të vitit 1943 që është përdorur për të helmuar njerëzit në Natzweiler-Struthof, i vetmi kamp përqëndrimi nazist në territorin francez.

Kuratorët thonë se racizmi nuk mund t’i gjej rrënjët në shkencë pasi 99.9 përqind e gjenomit është e njëjtë për të gjithë njerëzit në botë.

"Që kur u zbulua sekuenca e gjenomit më shumë se 20 vjet më parë, është provuar plotësisht se raca nuk ekziston. Nuk është një përfaqësim i mirë i diversitetit gjenetik pasi në konceptin e racës mendon për një grup aq te pavarur saqë mund të krijojë një racë.. si përshembull tek qentë. Kur sheh diversitetin gjenetik të njeriut, ke gjithmonë migrime mes popullatave të ndryshme, kështu që nuk mund të përcaktosh me saktësi një grup si racë”, thotë Evelyne Heyer, kuratore dhe profesore e antropologjisë gjenetike në Muzeun e Historisë Kombëtare.

Ekspozita ka në qëndër megjithatë ditët e sotme. Aty pasqyrohen studime që tregojnë se ndërsa toleranca racore në përgjithësi po rritet, në shoqërinë franceze aktet e racizmit dhe kërcënimet janë shtuar gjatë dhjetë viteve të fundit.

Racizmi është diçka që lidhet me natyrën njerëzore dhe edukimin thotë zonja Heyer.

"E dimë tani si funksionon truri. Duhet t’i ndajmë gjërat. T’i kategorizojmë ato. E dimë çfarë është një karrige, një tavolinë, kafshët e kështu me rradhë. Pra kemi të njëjtin proces kur shohim diversitet njerëzor; tentojmë t’i kategorizojmë njerëzit”, thotë ajo.

Dhe pavarësisht se ADN-ja jonë është e njëjtë, disa kategorive u japim status më të ulët, thotë zonja Reynaud-Paligot.

Alecia McKenzie është një noveliste xhamajkiane që ka jetuar në Paris për tetë vjetë. Ajo thotë se kohët e fundit ka vërejtur një ndryshim në shoqërinë franceze.

"Qysh nga viti 2015 ka një ndjenjë mosbesimi, që mendoj se është e natyrshme. Duke qënë e huaj sigurisht që e ndjej këtë. Njerëzit e tjerë duhet ta ndjejnë gjithashtu. Mendoj se njerëzit e polarizuar dhe ndonjëherë politikanët e përdorin këtë për të krijuar një ndarje edhe më të madhe."

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 8 janar të vitit 2018.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG