Lidhje

Universitetet amerikane dhe liria e shprehjes


Universitetet amerikane për një kohë të gjatë kanë lejuar fjalimet e figurave të debatueshme si pjesë e një filozofie që inkurajon debatin e hapur si një mjet për formimin e të rinjve. Por një numër protestash të kohëve të fundit duket se po tregojnë një ndryshim të qëndrimit ndaj fjalës së lirë në mesin e studentëve të sotëm.

Që nga shkurti, protestat në kampuset e universiteteve amerikane si Universiteti i Kalifornisë në Berkeley, Universiteti Middlebury, Universiteti Claremont dhe universitetet shtetërore të Kalifornisë dhe Los Anxhelesit, kanë shpërthyer përpara fjalimeve të planifikuara nga komentatorë politikë konservatorë. Protestat, disa prej të cilave të dhunshme, janë ndjekur në mënyrë intensive nga media dhe janë dënuar nga ata që besojnë se demonstratat kanë për qëllim të ndalojnë folësit që shprehin opinione të papëlqyeshme për disa.

Will Creely, nënpresident i organizatës Fondacionin për të Drejtat Individuale në Arsim (FIRE) i tha Zërit të Amerikës se incidentet janë bërë një shqetësim në rritje për përkrahësit e fjalës së lirë, sepse ai mendon se shkollat mund të bëjnë më shumë për mbrojtjen e folësve të ftuar.

"Dorëzimi përballë kërcënimeve për dhunë u jep zemër dhe inkurajon edhe më tej reagimet jo-liberale (anti-demokratike)," tha ai. "Dhuna në këto ngjarje do të sjellë më shumë dhunë dhe ne jemi seriozisht të shqetësuar se dikush do të lëndohet".

Muajin e kaluar, një grup studentësh në Universitetin Middlebury të Vermontit ftoi për të mbajtur një fjaim në kampus studiuesin politik, Charles Murray nga organizata konservatore, Instituti American Enterprise. Studimet e zotit Murray janë përpjekur të gjejnë lidhje mes racës dhe inteligjencës, duke bërë që disa grupe si Southern Poverty Law Center ta etiketojnë atë si një nacionalist të bardhë (racist).

Murray u prit nga qindra protestues të cilët bërtisnin kundër tij ndërkohë që ai po përpiqej të fliste. Pasi turma nuk po hiqte dorë nga protesta, administratorët e universitetit e shoqëruan zotin Murray në një ndërtesë tjetër ku biseda e tij me profesoren e Universitetit Middlebury, Allison Stanger u transmetua në internet.

Ndërsa Stanger dhe Murray u larguan nga ndërtesa, ata u "përballën me dhunë nga një grup protestuesish", tha në një deklaratë zëdhënësi i universitetit, Bill Burger.

Protestuesit "rrethuan makinën e tyre, pastaj e goditën dhe e tundën atë duke u përpjekur të mos e linin të largohej nga kampusi", tha zoti Burger.

Stanger u dërgua për t’u mjekuar në pavionin e urgjencës në spital pas konfrontimit me protestuesit, njëri prej të cilëve e kapi atë nga flokët dhe e tërhoqi zvarrë. "Kisha frikë se do të vdisja", shkroi Stanger më vonë në Facebook.

Më parë këtë muaj, studentët në universitetin Claremont McKenna në Kaliforni protestuan kundër Heather MacDonald, studiuese në Institutin Manhattan dhe kritike e lëvizjes Black Lives Matter. Studentët në Claremont shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj një libri të zonjës MacDonald, të quajtur "Lufta kundër Policisë", ku ajo flet për frikën e policëve për të bërë punën e tyre për shkak të vëmendjes së shtuar nga media pas vdekjes së afrikano-amerikanit Michael Brown në Ferguson të Mizurit.

MacDonald, e cila gjithashtu ishte ftuar të fliste në kampus nga një grup studentësh, u detyrua ta bënte fjalimin në internet pasi protestuesit bllokuan hyrjet në ndërtesën ku ishte planifikuar të fliste.

Protestuesit goditën dritaret dhe bërtisnin nga jashtë ndërtesës derisa "policët vendosën se gjendja po bëhej kaotike dhe unë duhet ta anuloja fjalimin", tha zonja MacDonald pas incidentit.

Policia e nxori zonjën MacDonald nga ndërtesa fshehurazi, në mënyrë që ajo t’u shpëtonte sulmeve të mundshme të protestuesve.

Pas fjalimit të saj, dhjetëra studentë nënshkruan një letër të hapur drejtuar presidentit të universitetit, David Oxtoby, ku e quanin zonjën MacDonald "fashiste" dhe kërkonin nga universiteti Claremont "të ndërmarrë veprime" kundër një gazete të pavarur të studentëve për mbulimin e protestave dhe "vazhdimin e gjuhës së urrejtjes".

Presidenti i universitetit, Oxtoby kishte dënuar më parë protestat dhe kishte mbrojtur të drejtën e zonjës MacDonald për të folur në kampus, duke përmendur angazhimin e universitetit ndaj "lirisë së shprehjes dhe lirisë akademike".

Studentët argumentuan se MacDonald është e njohur për pikëpamjet e saj, të cilat i ka shprehur përmes platformash të ndryshme, prandaj duke e penguar të fliste në Claremont nuk i shkeleshin të drejtat e saj. Më tej, studentët thanë se ata e konsiderojnë thjeshtë praninë e zonjës MacDonald në kampus "një formë dhune".

Sulmet ndaj Kushtetutës

Incidentet si ato në Middlebury dhe Claremont janë bërë gjithnjë e më të zakonshme në kampuset e universiteteve amerikane, thotë Will Creely, nënpresident i organizatës Fondacionin për të Drejtat Individuale në Arsim.

"Është shumë shqetësuese," tha ai për Zërin e Amerikës. "Ne fatkeqësisht kemi parë në kampuse një shpërthim të dhunës kundër folësve me pikëpamje polemizuese ".

Ai fajësoi administratorët e universiteteve për dorëzim përballë studentëve të cilët ai thotë se dëshmojnë se janë të painformuar mbi ligjet që mbrojnë fjalën e lirë në Shtetet e Bashkuara.

"Gjykata e Lartë ka kufizuar me mençuri kategoritë e fjalëve që nuk mbrohen nga liria e shprehjes; ato përbëjnë një grup të vogël përjashtimesh, duke përfshirë kërcënimet, frikësimin, nxitjen e dhunës dhe fjalët e pahijshme. Në kampus, shkollat që pranojnë fonde federale kanë një detyrim ligjor për të ndaluar diskriminimin. Por secila nga këto përjashtime ka një përkufizim ligjor të hartuar me kujdes," tha ai.

Në një anketë të vitit 2015 nga organizata YouGov, 43 për qind e nxënësve thanë se: "Sigurimi i një ambienti të lirë nga diskriminimi për studentët, edhe nëse kjo do të kërkonte vendosjen e disa kufizimeve mbi lirinë e shprehjes së studentëve "duhet të jetë përparësi më e madhe për universitetet sesa mbrojtja e "mbrojtja absolute e fjalës së lirë."

Një sondazh i ngjashëm i vitit 2016 i organizatës Gallup tregon se 52 përqind e studentëve besojnë se institucioni i tyre duhet të ndalojë atyre që njihen si individë që përdorin "gjuhën e urrejtjes”, mundësinë për të folur në kampus.

Por, siç tha zoti Creely për Zërin e Amerikës, Amendamenti i Parë që mbron lirinë e fjalës "nuk bën përjashtime për gjuhën e urrejtjes".

"Fatkeqësisht, ekziston një problem i përhapur në mesin e studentëve: ata nuk janë të mirë-informuar se sa mund t’i shtrijnë të drejtat e tyre dhe ku fillojnë të drejtat e shokëve të shkollës”, tha ai.

Vendlindja e fjalës së lirë

Diskutimi mbi të drejtat që ofron Amendamenti i Parë këtë javë ishte në qendër të vëmendjes pasi Universiteti i Kalifornisë në Berkeley anuloi paraprakisht një forum ku komentatorja konservatore Ann Coulter ishte në plan të mbante fjalim, duke përmendur shqetësimet se universiteti nuk do të mund të kontrollonte reagimet ndaj pranisë së zonjës Coulter, që mund të merrnin karakterin e protestave me dhunë.

Anulimi pason disa incidente të dhunshme në kampusin e universitetit këtë vit, duke përfshirë protestat në shkurt kur gazetari i ekstremit të djathtë, Milo Yianpoulos u ftua të fliste. Protestat u shoqëruan me akte vandalizmi që rezultuan në më shumë se 100,000 dollarë dëme materiale në ndërtesat e kampusit.

Vendimi i universitetit për të anuluar fjalimin e zonjës Coulter nxiti polemika, duke detyruar zyrtarët e univeristetit të Kalifornisë në Berkeley të ndryshonin vendimin dhe të rifillonin bisedime me komentatoren Ann Coulter për të mbajtur fjalimin në një kohë kur në kampus do të kishte më pak njerëz. Kjo nuk u prit mirë nga grupi i studentëve që ftuan komentatoren Coulter në kampus, kështu që të hënën, ata ngritën një padi kundër shkollës për diskriminim kundër zonjës Coulter.

"Ky rast vjen nga përpjekjet e një prej universiteteve kryesore publike të Kalifornisë, UC Berkeley, dikur i njohur si" vendlindja e Lëvizjes së Fjalës së Lirë", për të kufizuar dhe frenuar të drejtën e fjalës për studentë konservatorë, zërat e të cilëve nuk janë në një linjë me pikëpamjet politike të kampusit," thuhet në padinë e paraqitur nga Harmeet Dhillon në emër të republikanëve të Universitetit të Kalifornisë në Berkeley.

Një zëdhënëse e shkollës, Diane Klein, e quajti "të pavërtetë" pohimin se Coulter është ndëshkuar padrejtësisht për pikëpamjet e saj politike.

"Universiteti mirëpret folësit e të gjitha këndvështrimeve politike dhe është i angazhuar që të sigurojë një forum për të lejuar komentatoren Ann Coulter të flasë në kampusin e Berkeley," tha ajo në një deklaratë.

Universiteti i propozoi komentatores Coulter të flasë më 2 maj, por Dhillon tha se afati kohor është i papranueshëm, sepse studentët në atë kohë do të jenë të zënë me përgatitjet për sezonin e provimeve për vitin shkollor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG