Lidhje

Administrata Trump dhe diplomacia amerikane


Janë mbushur tre muaj që kur Donald Trumpi erdhi në Shtëpinë e Bardhë, por ende nuk janë mbushur dhjetëra poste zyrtarësh të lartë dhe ambasadorësh në kryeqytete të ndryshme të botës. Zakonisht zëvendësimi i ambasadorëve, të cilët janë emërime politike, kërkon pak kohë për administratën e re por këtë radhë procesi po ecën më ngadalë se zakonisht. Nga 188 poste ambadorësh, 181 ende nuk kanë kandidatë të emëruar nga administrata aktuale.

Ndërkohë që acarohen tensionet në Korenë e Veriut dhe rajone të tjera të globit, Presidenti Donald Trump ka siguruar konfirmimin e vetëm dy ambasadorëve dhe ka emëruar pesë kandidatë të tjerë.

Ende nuk ka kandidat për ambasador në Korenë e Jugut apo për ndihmës sekretar të shtetit për Azinë Lindore dhe Çështjet e Paqësorit.

Analisti Thomas Writght thotë se kjo mungesë ekspertize është e pashembullt dhe shqetësuese.

“Nëse marrim si shembull takimin e fundit me Presidentin e Kinës Xi Jinping, kishte shumë pak ekspertë për Azinë në poste të larta. Zakonisht këta profesionistë janë shumë të nevojshëm për të ndihmuar në detajet e takimit. Unë e shoh si një realitet me efekte negative të vazhdueshme,” thotë zoti Thomas.

Këtë javë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mark Toner u përpoq t’u përgjigjej shqetësimeve:

“Mund t’i siguroj të gjithë në këtë dhomë dhe kudo në Shtetet e Bashkuara dhe në botë se këto vende nuk kanë mbetur bosh. Kemi zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit që po veprojnë në këto kapacitete; këta janë punonjës me eksperiencë në shërbimin diplomatik amerikan”.

Ish-ambasadori Ron Neumann jep shpjegimin e vet për situatën aktuale kur administratës Trump po i duhet shumë më tepër kohë për të mbushur postet e ambasadorëve se administratave të mëparshme:

“Në Shtëpinë e Bardhë vepron një grup shumë i vogël njerëzish që kontrollon shumë gjëra. Brenda këtij grupi ka tensione. Por faktori kryesor është se kemi të bëjmë me një grup të vogël dhe është shumë e mundshme që të jenë të gjithë të mbytur me punë të tjera”.

Analisti Wright beson se kanë ndikuar edhe faktorë politikë:

“Disa njerëz brenda administratës Trump janë të fiksuar të marrin hak ndaj atyre që e kundërshtuan Donald Trumpin në fushatë. Pra kanë përjashtuar ata republikanë që folën kundër Trumpit gjatë zgjedhjeve. Por faktikisht ka fare pak kandidatë që e kanë mbështetur Donald Trumpi dhe janë të aftë për të mbushur poste të larta si dhe do të arrijnë të marrin konfirmimin e Senatit”.

Në këtë kohë sfidash në politikën e jashtme, që nga Siria, Rusia e shumë pika të nxehta të globit, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson pa dyshim do ta mirëpriste ndihmën e ekspertëve që do të plotësonin postet e larta të politikës së jashtme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG