Lidhje

Mediat shqiptare janë në presionin e disa pushteteve


Zëri i Amerikës: Profesor Fuga! Si e pritët përfundimin e raportit të organizatës Freedom House se Shqipëria është midis vendeve me media pjesërisht të lira?

Artan Fuga: Ky vlerësim mua më duket i ekuilibruar dhe i saktë. Sado vështirësi dhe difekte të ketë media shqiptare, është rasti për të bërë homazhe atyre gazetarëve të rinj dhe të reja, burra e gra, të cilët përpiqen të sjellin informacionin për qytetarët.

Ne si departament i komunikimit dhe i gazetarisë kemi kryer studime dhe monitorime të medias, të cilat na kanë sjellë në po këto konkluzione.

Problemi i parë është se tek ne ka një zhvendosje të statuseve: pronari shpesh herë bën kryeredaktorin, kryeredaktori bën censorin, gazetari zëvendësohet nga spikeri ose nga analisti, analisti zëvendësohet nga propagandisti, propagandisti merr urdhër nga politikani.

Media shqiptare, një media gjysmë e lirë, është e tillë prej politikës dhe presioneve të saj.

Ka edhe shumë probleme të tjera të natyrave nga më të ndryshmet, dhe do të theksoja faktin që media shqiptare ka nevojë të bëjë një hop, sepse ka ngelur në një nivel të prapambetur.

Zëri i Amerikës: Krahas presioneve politike, dhe mungesave financiare, gazetarët shqiptarë janë edhe pa një status të vecantë? Cili është mendimi juaj mbi këtë gjendje?

Artan Fuga: Unë mendoj se media shqiptare disa probleme strukturore.

Problemi i parë është problemi i pronësisë. Media shqipatre nuk e njeh aksionariatin masiv, as ushqimin financiar nga kontribues të vegjël qytetarë, as aksionariatin që vjen nga qytetarët, por ka një sistem pronësor shumë të koncentruar.

Së dyti, ka një problem me formulën ekonomike dhe financiare, sepse ajo nuk financohet nga audiencat, në radhë të parë dhe nuk ka lidhje me audiencat për të mbijetuar.

Duke mos patur këtë lidhje me audiencat, media i merr këto financime nga tenderat, ose nga reklamat, të cilat janë zvogëluar dhe nuk mjaftojnë për ta mbajtur, ose burime të tjera që vijnë nga njoftime zyrtare, ose nga burime joligjore.

E gjitha kjo ka sjellë një krizë të madhe financiare dhe në këtë moment media nga njëra anë media nga njëra anë kërkon të prodhojë përmbajtje me sa më pak shpenzime dhe me pak bëhet debati politik në prime time, që e politizon median, ose t'i shtrijë dorën pushtetit, duke rënë në dorën e pushteteve të ndryshme pasurore apo politike.

Këtu ka edhe një problem me statusin e gazetarit, i cili është i varfër, është pa mbrojtje dhe ai është nën një presion të jashtëzakonshëm, i frustruar dhe më shumë është një raportues i informacionit që vjen nga zyrat e shtypit sesa vetë ai krijon.

Zëri i Amerikës: Sa ndikojnë mediat e reja sociale elektronike për ta përmirësuar gjendjen?

Artan Fuga: Aq më shumë ka një problem edhe me pejzazhin mediatik shqiptar, i cili është shumë i vjetër, i dominuar nga mediat kombëtare të informacionit politik të përgjithshëm dhe nuk njeh mediat rajonale, mediat e specializuara, mediat e profilizuara.

Ndërkaq media që bazohet tek teknologjitë e reja dhe mjetet e reja të komunikimit është e pazhvilluar, nuk ka interaktivitet, dhe e gjitha kjo vjen për shkak të presioneve që media ka nga politika dhe pushtetet e tjera.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG