Lidhje

Polemika brenda PD-së lidhur me zgjedhjet


Disa nga politikanët e Partisë Demokratike po kritikojnë publikisht kryetarin e partisë, Lulzim Basha, për qëndrimet që po mbahen ndaj zgjedhjeve parlamentare të radhës.

Ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, deklaroi se ka kërkuar “prej disa javësh mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së për të diskutuar se “çfarë do të bëhet me pjesëmarrjen në zgjedhje si dhe për kostot e bojkotit që PD ka vendosur në raport me zgjedhjet”.

Deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, shkroi në rrjetet sociale se kryetari i PD, Lulzim Basha, duhet të heqë dorë nga vendimi për të mos e futur partinë në zgjedhjet e 18 qershorit.

“PD ka lindur si një parti me vokacion perëndimor. Ajo nuk u largua nga zgjedhjet as në 1997, as nuk u pajtua me bojkotin, që dikur bënte Edi Rama as me bllokimin që partia e tij u bënte rrugëve" - tha zonja Bregu.

"Sot nuk mund të hesht më, sepse edhe ata që kurrë nuk na kanë lënë vetëm më parë, nga presidenti Daul dhe deri te i fundit në PPE më thonë prej disa ditësh që nuk na ndihmojnë më, sepse “ju nuk doni të ndihmoni veten. Ata duan që PD të hyjë në zgjedhje dhe të jetë në parlament, dhe të votojmë për reformën në drejtësi dhe ato që duhen për zgjedhjet” - theksoi ajo.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha më herët në një fjalim pranë tendës së protesës në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” se kryeministri Rama kërkon të kapë zgjedhjet me çdo kusht, dhe se zgjedhjet e lira janë e vetmja pengesë para zotit Rama për të ruajtur pozicionin e tij dhe klientëve të tij.

“Kjo betejë për të ndalur me çdo kusht zgjedhjet e lira dhe të ndershme, para se të jetë një betejë politike për rilindjen, për Edi Ramën është një betejë ekonomike, për të ruajtur kontrollin mbi të ardhurat, mbi buxhetin, mbi tenderat, mbi koncensionet, mbi pasuritë e shqiptarëve. Ndaj mosbindja civile do të shtrihet në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo fshat për të kulmuar në 18 qershor ku shqiptarët e bashkuar do të rimarrin kontrollin fizik të Shqipërisë që i takon dhe iu takon vetëm atyre dhe kurrë krimit, drogës dhe qeverisë së lidhur me ta”, - tha zoti Basha.


Facebook Forum

XS
SM
MD
LG