Lidhje

Basha: Duam garanci të vërteta. Gati takimi tek Nishani


Partitë politike pritet të takohen nesër paradite tek presidenti i Republikës, Bujar Nishani, për vështirësitë e hasura nga politika në prag të zgjedhjeve parlamentare. Të gjitha palët e kanë e shprehur tashmë gadishmërinë për këto bisedime.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se për opozitën mjafton që kryeministri Rama të japë dorëheqjen e të ndërtohet një qeveri teknike dhe kjo është garancia për zgjedhjet e ardhshme.

“Rama po mban peng vendin, duke refuzuar të japë dorëheqjen. Ne nuk jemi problemi dhe ne nuk mund të lëmë qytetarët në dorë të një qeverie të delegjitimuar”.

Zoti Basha tha, pas një mbledhje të gjatë të grupit parlamentar, se opozita është e gatshme të diskutojë dhe kërkon të ofrojë garanci të vërteta nga qeveria për zgjedhjet.

Më herët Partia Demokratike dhe Koalicioni Opozitar deklaruan se mirëpritnin ftesën e Presidentit të Republikës Bujar Nishani për dialog, që të zgjidhet kriza politike.

“Shkaktari i kësaj krize, Edi Rama, me veprimet dhe qëndrimet e tij ka vendosur interesin e vetjak para interesave të qytetarëve shqiptarë, ndërsa opozita dhe Partia Demokratike kanë kërkuar gjithmonë rrugën e dialogut të vërtetë dhe jo fasadë, për t'u bashkuar në luftën kundër krimit, drogës, korrupsionit, të cilat kërcënojnë asgjësimin e zgjedhjeve” - theksohet në deklaratën e opozitës.

Presidenti i PPE, Xhozef Daul pati në mbrëmje një bisedë telefonike dhe videokonferencë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, të cilin e ftoi që në mënyrë konstruktive të ndihmojë drejt një zgjidhje, e cila çon në pjesëmarrjen e PDSH- së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe në ruajtjen e qetësisë dhe përmbajtjes nga çdo lloj dhune.

“PPE dhe partia e saj anëtare PD ndajnë mendimin se një luftë më e fortë kundër drogës është vendimtare për Shqipërinë dhe për BE. BE duhet të forcojë monitorimin e zbatimit të planit të veprimit 2017-2020 për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, vëzhgimin ajror të territorit shqiptar për shkatërrimin e plantacioneve të kanabisit” - tha zoti Daul, sipas një njoftimi pas videokonferencës.

Ai theksoi se regjistrimi dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme të të gjitha palëve është e domosdoshme.

“Asnjë bojkot i zgjedhjeve apo i parlamentit nuk janë aspak në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian apo të PPE-së” - tha zoti Daul.

Sipas tij, PD siguroi se do të angazhohet në negociata të mëtejshme konstruktive me shumicën qeverisëse në mënyrë që të gjejë një zgjidhje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG