Lidhje

Shtëpia e Bardhë ishte paralajmëruar vazhdimisht për këshilltarin Flynn


Ish-Prokurorja e Përgjithshme në detyrë, Sally Yates tha se e kishte paralajmëruar Shtëpinë e Bardhë të zotit Trump se ish-këshilltari i sigurisë kombëtare Michael Flynn mund të ishte i ekspozuar ndaj shantazheve ruse. Siç i deklaroi dje një komisioni të Senatit, zonja Yates e kishte njoftuar Shtëpinë e Bardhë dy javë para se Presidenti Trump të shkarkonte zotin Flynn, se ai kishte gënjyer për kontaktet me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump e shkarkoi gjeneralin në pension Flynn në mes të shkurtit, pasi dolën njoftime në media, sipas të cilave këshilltari i sigurisë kombëtare kishte gënjyer nën-presidentin Mike Pence. Sally Yates u tha senatorëve se e kishte lajmëruar këshilltarin ligjor të Shtëpisë së Bardhë për situatën në fund të janarit, pasi zoti Pence kishte thënë se zoti Flynn nuk kishte qenë në kontakt me ambasadorin rus, gjë që nuk ishte e vërtetë.

“Nënpresidenti dhe zyrtarë të tjerë kishin të drejtën të dinin se informacioni që po i përcillnin publikut amerikan, nuk ishte i vërtetë. Edhe rusët e dinin se çfarë kishte bërë zoti Flynn dhe se ai e kishte gënjyer nënpresidentin”.

Dhe cili ishte shqetësimi?

“Kjo krijonte një situatë komprometuese, ku në thelb këshilltari i sigurisë kombëtare mund të ishte i ekspozuar ndaj shantazheve”.

Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë e kishin cilësuar më parë paralajmërimin e zonjës Yates thjesht një “këshillë informale” që nuk shkaktoi shqetësim të menjëhershëm.

Disa orë para seancës, dolën njoftime se ish-Presidenti Barack Obama e kishte paralajmëruar zotin Trump se zoti Flynn nuk ishte i besueshëm, në një takim vetëm disa ditë pas zgjedhjeve, një lajm që Shtëpia e Bardhë e konfirmoi.

“Presidenti Obama e bëri të qartë që nuk e pëlqente gjeneralin Flynn…nëse Presidenti Obama kishte qenë aq i shqetësuar për gjeneralin Flynn, pse nuk e pezulloi autorizimin e tij për qasje tek informacionet sekrete, që sapo ishte rikonfirmuar?”

Disa komisione kongresi po shtrojnë një pyetje më të gjerë:

“A jeni në dijeni të ndonjë të dhëne që lë të kuptojë se në fushatën e vitit 2016, pjesëtarë të fushatës së zotit Trump bashkëpunuan me qeverinë ruse ose me shërbimet e zbulimit?”, pyeti senatori republikan Lindsey Graham.

“Që t’i përgjigjem kësaj pyetjeje do të thotë që të nxjerr infomacion sekret, kështuqë nuk mund t’i përgjigjem”, tha zonja Yates.

Por nuk ka diskutim se Rusia kishte në shënjestër zgjedhjet amerikane, thotë ish-drejtor i Zbulimit Kombëtanjë James Clapper.

“Nëse ka pasur ndonjëherë një kambanë alarmi për vigjilencë dhe reagim ndaj një kërcënimi ndaj thelbit të sistemit tonë politik demokratik, ky është episodi që e vërteton atë”.

Zoti Clapper tha se suksesi i Rusisë vitin e kaluar do ta nxisë Moskën të vazhdojë të ndërhyjë në zgjedhje në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG