Kolegji Zgjedhor i Apelit zgjodhi sot me short pesë gjyqtarët, që do të shqyrtojnë kërkesën e opozitës për të çregjistruar listat e kandidatëve për deputetë nga KQZ.
Gjyqtarët Gjin Gjoni, Sotiraq Lubonja, Tomor Shkreli, Ridvan Hado dhe Artur Malaj do të shqyrtojnë ankesën që opozita dorëzoi dje.
Ajo u ankua në Kolegj Zgjedhor me shpjegimin se KQZ ka shkelur Kodin Zgjedhor, duke regjistruar jashtë afatit ligjor prej 50 ditësh listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste dhe 14 partive të tjera.
Ankesa në Kolegj Zgjedhor është dorëzuar nga Partia Agrare Ambientaliste, e vetmja që ishte regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ nga opozita.
Më pas kjo parti kërkoi të çregjistrohej dhe nuk paraqiti lista me kandidatë për deputetë.
Kryetari aktual i KQZ-së, Denar Biba, tha në rrjetet sociale se Kolegji nuk ka arsye që të marrë në shqyrtim ankesën e një partie, e cila nuk është subjekt zgjedhor, derisa PAA ka kërkuar çregjistrim nga gara e 18 qershorit dhe nuk soli kandidat.
Por ish-kryetari i KQZ-së, dr. Kristaq Kume, i cili drejton prej shumë vitesh Institutin e Zhvillimit të Demokracisë dhe Sistemeve Zgjedhore, tha se PAA e gëzon statusin e subjektit zgjedhor dhe mund të ankohet në Kolegjin Zgjedhor, sepse KQZ nuk e ka çregjistruar në çastin kur ajo nuk dorëzoi lista kandidatësh për deputetë.
“PAA është regjistruar në KQZ dhe nga ky çast ka marrë statusin “subjekt zgjedhor”, i cili duhej pasuar nga dorëzimi i listave të kandidatëve. Por PAA nuk ka dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë dhe nga ky çast KQZ duhet ta çregjistronte si subjekt zgjedhor, por ky vendim nuk është marrë ndaj saj. Pra, në çastin kur ka miratuar listat e kandidatëve të partive pjesëmarrëse në zgjedhje, KQZ duhet të çregjistronte si subjekte zgjedhore ato parti, që nuk dorëzuan lista kandidatësh” - tha zoti Kume.
Eksperti i njohur i kësaj fushe, Kume thotë se PAA ka shfrytëzuar për t'u ankuar të vetmin status, që i ka mbetur si subjekt zgjedhor kur u regjistrua fillimisht, madje KQZ nuk e ka marrë në shqyrtim as kërkesën e kësaj partie për t'u çregjistruar nga gara zgjedhore.
Sipas zotit Kume, mbetet për t'u parë nëse Kolegji Zgjedhor do të bëjë apo jo ndonjë interpretim mbi statusin e ankimuesit në vendim, por vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i paapelueshëm në nivele të tjera gjyqsore.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, thotë se qëndrimet e veta mbi këtë ankesë të PAA-së ndaj listave dhe afateve të garuesve të tjerë KQZ do t'i parashtrojë në seancat e Kolegjit Zgjedhor, kur të nisë shqyrtimi i saj.
Ajo shtoi se emri i PAA-së është në radhën e partive të regjistruara si subjekte, por kur nuk paraqiti listat e kandidatëve, emri i saj thjesht nuk figuron në listën e subjekteve zgjedhore të 18 qershorit.
Partitë e koalicionit opozitar nuk u regjistruan për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit as si aleancë as si parti më vete.
Partia Socialiste ka shprehur vendosmërinë për të shkuar në zgjedhje edhe pa pjesëmarrjen e opozitës.
Një seri takimesh dhe ndërmjetësimesh u zhvilluan për të gjetur një mirëkuptim, në mënyrë që në garën zgjedhore të marrin pjesë të gjitha partitë.
Të majtët ofruan disa lëshime, por opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe ngritjen e një qeverie teknike, për të organizuar zgjedhje të lira e të drejta, të pandikuara nga paratë e qarqeve të krimit dhe të drogave.
Facebook Forum