Lidhje

Ende shumë pyetje për shkarkimin e James Comey-t


Nis procesi për emrin e ri në krye të FBI-së. Ende shumë pyetje për shkarkimin e James Comey-t

Pas shkarkimit të drejtorit të FBI-së James Comey nga presidenti Donald Trump, ka nisur procesi për zëvendësimin e tij. Por komentet kontradiktore të presidentit lidhur me arsyet e shkarkimit vazhdojnë të ngrejnë shumë pyetje. Kësaj i shtohet fakti që presidenti Trump foli edhe për mundësinë e ekzistencës së regjistrimit të bisedave të tij me njeriun që deri javën e kaluar drejtonte hetimet mbi ndërhyrjet e pretenduara të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane. Ndiqni raportin e korrespondentit të “Zërit të Amerikës” Michael Bowman.

Kandidati për të udhëhequr FBI-në po kërkohet në një spektër të gjerë, duke nisur nga juristët e deri te ligjvënësit.

"Janë njerëz të shquar dhe shumë të njohur, niveli më i lartë. Mund të dalim shpejt me një vendim", tha presidenti Trump.

Por komentet e presidentit Trump vazhdojnë të jenë në vëmendjen kryesore të medias, si ato të bëra në intervista televizive apo në twitter. Një koment i tij në twitter u pa si kërcënim ndaj ish shefit të FBI-së, kur la të kuptohet se mund të ekzistojnë regjistrime të bisedave të tyre.

"Kjo është një deklaratë shumë e çuditshme e presidentit që mund të ekzistojnë regjistrime private", thotë senatori demokrat Mark Warner.

Zoti Warner është pjesë e komisionit të senatit për zbulimin, që po heton ndikimin rus në zgjedhjet presidenciale.

"Nuk e kam as idenë më të vogël nëse ka apo jo regjistrime. Por fakt është që presidenti aludoi për këtë dhe pastaj Shtëpia e Bardhë as nuk e konfirmoi dhe as e mohoi. Para së gjithash, duhet të sigurohemi që nëse këto regjistrime ekzistojnë, ato nuk do të zhduken në mënyrë të mistershme. Unë kam kërkuar, dhe të tjerë gjithashtu, që regjistrimet të ruhen, gjithnjë nëse ekzistojnë”, tha ai.

Gjatë intervistës për televizionin NBC, presidenti Trump tha se ishte zoti Comey ai që i kërkoi të takohen në muajin janar, me qëllimin sipas tij, për t’i bërë të ditur dëshirën për të qëndruar në krye FBI-së. Por shpjegimi i presidentit nuk përputhet me atë që dikush tjetër kujton nga një takim me zotin Comey, pak përpara se drejtori i FBI-së të darkonte me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë.

"Fola shkurtimisht me drejtorin Comey për darkën. Më tha se ishte ftuar dhe sipas mënyrës që unë e vlerësova, ai nuk ndihej rehat me këtë gjë thjesht për shkak të asaj se ky takim mund të shihej si potencialisht kompromentues për pavarësinë e tij dhe atë të FBI-së ", tha gjatë një interviste James clapper, ish drejtor i Zbulimit Kombëtar.

Ngjarja i ka përballur ligjvënësit republikanë me pyetje të vështira në shtetet ku janë zgjedhur.

"Askush nuk po kundërshton faktin që presidenti ka të drejtën të emërojë apo pushojë drejtuesin e FBI-së. Vendimi është marrë. Mendoj se ajo që është më e rëndësishme tani është të sigurohemi se në krye të FBI-së do të zgjidhet një person i kualifikuar dhe që gëzon besim", tha Paul Ryan kreu i Dhomës së Përfaqësuesve.

Ndërkohë demokratët janë të bashkuar në kërkesën e tyre për një prokuror të posaçëm për të hetuar ndërhyrjen ruse në zgjedhje si dhe nëse ka pasur bashkëpunim mes Moskës dhe rrethit të ngushtë të njerëzve të presidentit Trump. Sipas tyre, pas shkarkimit të zotit Comey një hetim i pavarur politik është më urgjent se kurrë.

"Shkarkimi i tij në mesin e hetimeve ngre një sërë pyetjesh," thotë senatori Mark Warner.

Ish kreu i FBI-së James Comey nuk ka pranuar të dëshmojë në një seancë me dyer të mbyllura që do të mbahet këtë javë në Kongres, por thuhet se ai është i hapur të flasë në një seancë publike, kurdo që ajo të caktohet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG