Lidhje

Tiranë: deklarata publike pas bisedimeve mes partive


Pas bisedimeve të fundit në kërkim të një mirëkuptimi mbi zgjedhjet, partitë kryesore po shkëmbejnë deklarata publike me detaje rreth negociatave.

Partia Socialiste shprehu keqardhjen, përmes një deklarate “për abuzimet mediatike të të ashtuquajturit koalicion opozitar, me një proces serioz dhe delikat përpjekjesh për ta kthyer Partinë Demokratike në rrugën e arsyes”.

PS pohoi se angazhimi në këto përpjekje edhe i partnerëve strategjikë amerikanë, pas ezaurimit të përpjekjeve të miqve e partnerëve europianë të Shqipërisë, është mirëpritur dhe konsiderohet prej nesh si mundësia e fundit për Partinë Demokratike për të hequr dorë nga shantazhet e rrugës dhe për t'u kthyer në rrugën e garës demokratike.

Partia Socialiste deklaroi se mbështet fuqimisht këtë përpjekje të fundit dhe po pret me shpresë deri në nisjen e fushatës zgjedhore, përfshirjen e PD-së në zgjedhje, me idenë se askush nuk është mbi Kushtetutën dhe ligjin.

“Rregullat e bashkëjetesës demokratike vlejnë njëlloj për qytetarët dhe për partitë politike. Asnjë parti politike nuk mund të pretendojë të dalin mbi këto rregulla e as të bëjë pazare me këto rregulla. Partia Socialiste beson se duhet të jetë forca e shembullit në përpjekjen për të bërë shtet dhe jo shembulli i forcës, që thyen rregullat që asnjë qytetari nuk i lejohet t'i thyejë” - theksohet në deklaratën e saj.

Partia Demokratike publikoi më herët nga ana e saj pikat kryesore në propozimin e integruar, të mbiquajtur "McAllister Plus", të cilat, sipas saj, u paraqitën nga Ndihmës Zëvendës Sekretari Hoyt Yee më 16 maj.

“Një zëvendës-kryeministër jo-politik), i propozuar nga opozita, katër ministra teknikë për të parandaluar keqpërdorimin e administratës publike dhe ndikimeve në procesin zgjedhor, kryetari i KQZ-së dhe Avokati i Popullit të zgjedhur nga opozita” - janë, sipas saj, ndër propozimet e bisedimeve të fundit.

Po ashtu, janë edhe propozuar ndryshime në Kodin Zgjedhor, të cilat garantojnë standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, krijimi i një ministrie të re, të drejtuar nga opozita, që të mundësojë votimin në të ardhmen përmes një sistemi elektronik.

Ndër propozimet janë edhe ndryshime në ligjin për transparencën e financimit të partive politike, ndryshime në Kodin Penal për dënime më të ashpra ndaj blerjes së votave, fotografimit të fletës së votimit dhe krime të tjera lidhur me zgjedhjet, zëvendësministra për të monitoruar çdo çështje që ka të bëjë me procesin zgjedhor, persona jopolitikë në ministrinë e arsimit dhe policisë për të parandaluar abuzimet e mundshme të administratës publike.

Në bisedime u propozua shtyrja e zgjedhjeve deri më 16 korrik, monitorimi i çrrënjosjes së kanabisit, pjesëmarrja e opozitës në Task Forcën e luftës kundër Drogës, dekriminalizimi i administratës publike, vëzhgimi i medias në zgjedhje dhe ndalimi i transmetimeve të videokasetave të partive politike.

Kthimi i Opozitës në parlament për formimin e Komisioneve të Vetingut është po ashtu në paketën e propozuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG