Lidhje

Tiranë: Zgjedhjet shtyhen më 25 qershor. Ndryshime në institucione dhe reforma të përbashkëta.


Marrëveshja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha shtyn një javë datën e zgjedhjeve, nga 18 në 25 qershor, regjistrimin e partive të opozitës dhe listave me kandidatët e tyre brenda datës 26 maj. Marrëveshja duket se nuk lë hapësira për pjesëmarrjen e koalicioneve. Po më datë 25 qershor do të mbahen dhe zgjedhjet e parakohshme për kryetarin e bashkisë së Kavajës, të cilat u shtynë nga 7 maji.

Marrëveshja sjell ndryshime të thella në postet kyçe të qeverisë, ku opozita do të ketë zëvendës-kryeministrin dhe ministrinë e brendshme, të financave, të arsimit, të shëndetësisë, të drejtësisë dhe të ministrinë e mirëqenies sociale. Ministrat e rinj do të jenë persona teknikë të propozuar nga opozita, e cila merr dhe drejtimin e disa institucioneve shtetërore si Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, të Hipotekave, të Burgjeve dhe të Agjencisë së Zhvillimit bujqësor, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Avokati i Popullit.

Drejtuesit e dy partive të mëdha kanë rënë dakort të ndryshojnë Kodin penal, “për ashpërsimin e sanksioneve, krijimin e veprave të reja penale, kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni”. Sipas marrëveshjes, do të forcohet kuadri ligjor mbi financimin e partive politike “nëpërmjet rregullimit dhe kufizimit të shpenzimeve zgjedhore, përfshirë ato materiale, kostove dhe transparencës në lidhje me to”, si dhe “përmirësimi i standardeve të pasqyrimit të fushatës elektorale në media”.

Opozita do të votojë përfaqësuesit e saj në komisionet parlamentare, të cilat do të përzgjedhin anëtarët e strukturave për rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve.

Ndryshime në kodin zgjedhor, emërimet e ministrave të rinj, dhe anëtarët e komisioneve të Vettingut, do të realizohen në një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit.

Palët kanë vendosur që me fillimin e legjislaturës së re të ndërmarrin një reformë kushtetuese si dhe reformën zgjedhore, përfshirë futjen e teknologjisë elektronike në identifikimin e votuesve dhe numërimit për zgjedhjet e ardhshme.

Pas publikimit të marëveshjes dypalëshe, kryetarët e PS-së dhe të PD-së, mbajtën fjalime publike me përkrahës të tyre.

Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha në një takim me anëtarë e simpatizues socialistë në kryeqytet, se është me rëndësi që do votohet përpara fillimit të fushatës elektorale.

“Ne kemi pranuar të shtyjmë zgjedhjet një javë brenda Kushtetutës dhe ligjit, për të fituar betejën e një gjenerate për një Shqipëri ku gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, sot marrin mesazhin e qartë se ditët e tyre në sistemin e drejtësisë janë tanimë të numëruara” - tha zoti Rama.

Sipas tij, socialistët dëshirojnë që Partia Demokratike të jetë në zgjedhje më 25 qershor, dhe marrëveshja që i afroi ata në zgjedhje është një fitore për socialistët e demokratët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.

“Sot është një ditë ku e gjithë Shqipëria ka të drejtën të marrë frymë lirisht, sepse Vetting-u tanimë nuk ka ku shkon, sepse rruga e stërzgjatur e padrejtësisë nuk ka ku vazhdon” - tha zoti Rama.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në tubimin para përkrahësve të tij se këmbëngulja 90 ditore e opozitës dha fryte për Shqipërinë europiane.

“Muret e kalbur të republikës së vjetër u shembën dhe nga nesër do të nisë ta japë rezultate republika e re e demokracisë perëndimore. Bashkë me këto mure të mykur do të bien edhe oligarkët e krimit dhe korrupsionit” - tha zoti Basha.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG