Lidhje

Tiranë: Emrat e ministrave të rinj shkojnë për miratim në Parlament dhe në Presidencë


Kryeministri Edi Rama dërgoi këtë mbrëmje për dekretim tek presidenti i Republikës, Bujar Nishani, emrat e ministrave teknikë të propozuar nga opozita, sipas marrëveshjes dypalëshe.

Zoti Rama e ndërmoi këtë hap pak pasi Partia Demokratike publikoi jetëshkrimet e ministrave të propozuar prej saj.

Ledina Mandia propozohet për zëvendës/kryeministre, Dritan Demiraj si ministër i brendshëm, Helda Vukaj propozohet ministre e financave, Gazmend Bardhi si ministër i drejtësisë, Mirela Karabino si ministre e arsimit, Xhulieta Kërtusha si ministre e mirëqenies sociale, Arben Beqiri propozohet për ministër shëndetësie.

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë rënë dakord edhe për të ndryshuar kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe për të emëruar Avokatin e Popullit.

Presidenti Bujar Nishani dekretoi sot 25 Qershorin si datën e re të zgjedhjeve, për të cilën u ra dakort në marrëveshjen e pak ditëve më parë mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha.

Po më datë 25 Qershor do të zhvillohen dhe zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Kavajës.

Në tekstin që shoqëron dekretet, presidenti Nishani shpjegon se vendimi i tij vjen në respekt të Kushtetutës dhe dispozitave të kodit zgjedhor si dhe bazuar në kërkesën e krerëve të shumicës dhe opozitës.

Parlamenti njoftoi se, me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, nesër pasdite do të mblidhet një seancë e jashtëzakonshme, me një rend dite që mbështetet në pikat e marrëveshjes politike.

Parlamenti do të miratojë fillimisht ndryshimet në qeveri, si dhe zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës zgjedhore, i cili po nesër do të paraqesë një paketë ndryshimesh ligjore, të cilat do të kenë të bëjnë kryesisht me financimin e partive dhe ashpërsimin e masave për veprat penale që lidhen me zgjedhjet.

Po ashtu opozita do të paraqesë kandidaturat e saj për anëtarët e komisioneve që lidhen me procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve.

Deputetët do të votojnë dhe për kreun e ri të Komisionit Qendror të zgjedhjeve i cili i kalon opozitës, dhe një anëtar të këtij komisioni.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG