Lidhje

SHBA, Presidenti Nishani nderon senatorin Bob Dole


Në Uashington, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani nderoi me dekoratën më të lartë të vendit ish-senatorin amerikan Bob Dole. Senatori Dole, i cili ka luajtur rol të veçantë për të mobilizuar Kongresin dhe administratën amerikane në favor të Kosovës, tha se ushqente dashuri të veçantë për shqiptarët dhe e priti me emocion nderin që iu bë. Bob Dole ka qenë i emëruar si kandidat për president nga Partia Republikane në zgjedhjet e vitit 1996. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në ceremoni dhe përgatiti këtë kronikë.

Presidenti i Shqipërisë nderon Senatorin Bob Dole
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:56 0:00

Ish-senatori Bob Dole është 94 vjeç dhe prej vitesh përdor karrocën e invalidit. Por ai ka një kujtesë të fortë, është i qartë në mendime dhe nuk ka hequr dorë nga shakatë.

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, së bashku me ambasadoret e Shqipërisë dhe Kosovës në Uashington, si dhe një grup dashamirësish kanë ardhur për të nderuar senatorin me një ceremoni të veçantë.

Kur në sallë luhen himnet e dy vendeve, senatori ngrihet në këmbë në shenjë nderimi.

“Ju, senator Dole ishin ndër të parët që u përpoqët, me vendosmëri duke u rreshtuar në vijën e parë për të ndalur gjenocidin ndaj popullit të pafajshëm të Kosovës. Ju bëtë një lobim të fuqishëm në senatin amerikan për lirinë që meritonte Kosova dhe më pas për pavarësinë e saj,” tha Presidenti i Shqipërisë.

Zoti Nishani tha se zotit Dole po i akordohej medalja më e lartë dhe më e shenjtë që jep Shqipëria – dekorata e Flamurit Kombëtar.

Senatori Dole pati momente përmallimi.

Në vitin 1996 ai fitoi emërimin e Partisë Republikane si kandidat për president, por humbi ndaj Bill Clintonit. Ai e kujtoi kështu atë kohë:

“Në vitin 1996 unë garova për president dhe humba. Por fitova thuajse të gjitha votat e shqiptarëve.”

Senatori e vlerëson shumë ndihmën e madhe që i dhanë shqiptarët në fushatë, mes të cilëve ai veçoi shqiptaro-amerikanin Xhim Xhema.

“Xhim Xhema dhe të tjerë, mobilizuan dhjetra njerëz për të më ndihmuar në shtetin Nju Hemshër. Ata vendosnin pankarta. Kishte njerëz që ua hiqnin, por ata i vendosnin përsëri,” kujtoi ish-senatori.

Bob Dole ka treguar vazhdimisht interesim të veçantë për Kosovën. Ai e vizitoi atë në vitin 1990 dhe ishte ndër të parët dhe ndër të paktët zëra që paralajmëruan se në Kosovë po afrohej lufta.

Në vitin 1998, Bob Dole e vizitoi përsëri Kosovën dhe paralajmëroi se tani masakra ishte e afërt. Senatori i bëri thirrje administratës Clinton për veprime energjike. Ai sensibilizoi ligjvënësit e tjerë për të kërkuar që presidentit serb Sllobodan Millosheviç t’i dërgohej një mesazh i qartë për Kosovën, ashtu siç ishte vepruar më parë edhe në Bosnje.

“Ka nga ata që thonë se gjendja në Kosovë është ndërlikuar, - shkruante senatori Dole në atë kohë. - Në fakt gjendja është më e qartë se kurrë. Kjo është një luftë kundër civilëvedhe ne e dimë se kush është përgjegjës: Sllobodan Millosheviçi.”

Bob Dole është vetë veteran i Luftës së Dytë Botërore, nga e cila edhe sot ka plagët në trup.

Kjo është ndoshta arsyeja që jeta e tij ka qenë gjithmonë në krah të atyre të cilët vuajtën nga shtypja dhe kërkuan lirinë. Në këtë kauzë, shqiptarët mbeten ndër miqtë e tij më të mirë, nga ata që nuk të harrojnë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG