Kryeministrja britanike Theresa May bëri sot fushatë në Anglinë jugperëndimore, ndërkohë që sondazhet e fundit tregojnë se Partia e saj Konservatore mund të humbasë shumicën në parlament.
Ndonëse zonja May kryeson në anketat e opinionit, shtatë sondazhe të kryera që nga sulmi i 22 majit në Mançester tregojnë se Partia Laburiste e opozitës po e ngushton distancën.
Nga një numër anketash të fundit del se Kryeministrja May mund të mos fitojë me rezultat të ndjeshëm në zgjedhjet e 8 qershorit, siç parashikohej vetëm një muaj më parë.
Në kontrast të dukshëm me sondazhet e opinionit që deri në javën e kaluar treguan se ajo do të fitonte bindshëm në zgjedhjet e parakohshme, anketat e modelit YouGov nxjerrin se ajo mund të humbasë 20 vende në parlamentin prej 650 vendesh. Kjo do të thotë se ajo mund të humbasë shumicën prej 17 vendesh më shumë që ka deri tani.
Por duke folur gjatë fushatës në Plymouth, zonja May i hodhi poshtë parashikimet, duke thënë se sondazhi i vetëm që ka rëndësi është votimi ditën e zgjedhjeve.
"Sondazhi i vetëm që ka rëndësi është ai që do të zhvillohet më 8 qershor, ku njerëzit do të kenë mundësi të zgjedhin se cilin do të dëshirojnë të kenë si kryeministër, mua apo udhëheqësin e opozitës Jeremy Corbyn. Kam planin për negociatat e shkëputjes nga BE-ja, por kam edhe një plan për të ndërtuar një Britani më të fortë dhe më të begatë," tha zonja May.
Kryeministrja May i thirri zgjedhjet e parakohshme në përpjekje për të forcuar pozitën e saj në negociatat për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian. Ajo synon të fitojë kohë për të zbutur pasojat që do të kishte largimi nga BE-ja dhe për të forcuar kontrollin e saj në Partinë Konservatore.
Por, në qoftë se nuk arrin ta tejkalojë shumicën prej 12 vendesh që ish-kryeministri David Cameron mori në vitin 2015, manovra e saj zgjedhore do të shënonte dështim dhe autoriteti i saj mund të dëmtohet, ndërkohë që ajo përpiqet të mbajë premtimin që u ka dhënë votuesve se procesi i ndarjes nga BE-ja do të realizohet me sukses.
Facebook Forum