Zyra e të Drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara tha sot se ka "njoftime të besueshme", sipas të cilave luftëtarët e Shtetit Islamik në Irak kanë vrarë të paktën 231 civilë, të cilët po përpiqeshin të largoheshin nga Mosuli.
Vrasjet mendohet se kanë ndodhur mes datës 26 maj dhe 3 qershor në lagjen al-Shifa dhe viktimat kanë qenë njerëz që përpiqeshin të largoheshin nga zonat nën kontrollin e Shtetit Islamik për në ato nën kontrollin e trupave irakiane. Kombet e Bashkuara thanë se janë duke zhvilluar hetime lidhur me njoftimet për viktima të tjera nga një sulm ajror në rajonin Zanjilli të Mosulit Perëndimor, ku sipas njoftimeve, janë vrarë 50-80 persona.
Lufta për Mosulin perëndimor po zhvillohet që nga muaji shkurt, pas suksesit të trupave irakiane me mbështetjen e sulmeve ajrore të koalicionit nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në marrjen e kontrollit të pjesës lindore të qytetit. Marrja e Mosulit do të ishte një fitore madhore në fushatën për dëbimin e grupit Shteti Islamik, që pati marrë nën kontroll zona të mëdha të Irakut, përfshirë Mosulin, në vitin 2014.
Grupe të të drejtave të njeriut, i bënë thirrje të enjten ushtrisë irakiane dhe koalicionit nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara që të shmangin përdorimin e armëve që mund të shkaktojnë viktima mes civilëve gjatë përpjekjeve së fundit për rimarrjen e kontrollit të Mosulit perëndimor.
Facebook Forum