Lidhje

Tiranë: Gjyqtarët padisin reformimin e drejtësisë


Në Shqipëri, dy shoqatat e gjyqtarëve paditën për herë të tretë në Gjykatën Kushtetuese ligjet e reformës në drejtësi, e veçmas ligje të vettingut, ku preken ata vet.

Dy shoqata të gjyqtarëve shqiptarëve iu drejtuan sërish gjykatës kushtetuese për të shfuqizuar nene nga ligje të reformës në drejtësi, vecanërisht sa i takon vettinugt.

Unioni dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve janë kundër kontrolleve nga janari 2012 mbi lidhjet midis gjyqtarëve, prokurorëve dhe pjesëtarëve të krimit të organizuar.

Ata kundërshtojnë edhe kontrollin e kontaktet që kanë me krimin e organizuar persona të lidhur me gjyqtarë dhe prokurorë.

Shoqatat e gjyqtarëve kundërshtuan marrjen si prova të dëshmive nga dëshmitarë të mbrojtur prej prokurorisë, ku mund të flitet për lidhjet e tyre me krimin e organizuar, prova nga informacione konfidenciale, përgjimet telefonike nga agjenci ligj-zbatuese dhe të dhëna nga oficerë dhe agjentë të policisë gjyqësore.

Padia e dy shoqatave të gjyqtarëve përfshin edhe të drejtën e gjyqtarit dhe prokurorit për të dhënë dorëheqjen gjatë procesit të rivlerësimit dhe ndërprerjen e kontrollit.

Sipas ligjit, gjyqtarët dhe prokurorët mund ta ushtrojnë këtë të drejtë deri 3 muaj nga hyrja në fuqi e tij.

Sipas shoqatave, ky përcaktim është jokushtetues dhe subjektet duhet të kenë të drejtë të japin dorëheqjen dhe, si rrjedhim, ta ndërpresin kontrollin gjatë gjithë procesit të vettingut.

Padia e dy shoqatave i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë nene të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, mbi kriteret e vjetërsisë në punë dhe të vlerësimit profesional në përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke përfshirë edhe rolin e antarëve jogjyqtarë në zgjedhjen e drejtuesve të këtyre institucioneve.

Kjo është hera e tretë që dy shoqatat e gjyqtarëve i drejtohen me padi Gjykatës Kushtetuese kundër ligjeve të reformës në drejtësi, duke kërkuar shfuqizimin e ligjit të vetingut në tetor dhe nene nga Statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në prillin e kaluar.

Reforma në drejtësi është temë kryesore në fushatën e saponisur për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG