Lidhje

Tiranë: OSBE bën thirrje për kujdes në votime dhe numërime


OSBE dhe KQZ nxitën sot organizatat e shoqërisë civile që të jenë sa më të angazhuara në vëzhgimin dhe numërimin e votave të 25 qershorit, për t'i dhënë vlerën maksimale pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje.

Në konferencën e përbashkët me KQZ, ambasadori i OSBE-së, Bernd Boschardt, tha se vëzhgimi i zgjedhjeve duhet të jetë vërtet i pavarur, i paanshëm dhe profesional.

“Një nga rekomandimet kryesore të ODIHR-it nga zgjedhjet e 4 vjetëve më parë ishte se në Vendet e Numërimit të Fletëve të Votimit vëzhguesve duhet t'u jepet mundësia të ndjekin të gjitha aspektet e numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultateve” - tha ai.

Qytetarët shqiptarë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, tha ambasadori Boschardt kanë denoncuar vazhdimisht praktika korruptive në zgjedhje, ndaj shoqërisë civile i takon një rol qendror në luftën ndaj korrupsionit zgjedhor. Sipas tij, ajo ka rritur vitet e fundit si transparencën e proceseve zgjedhore, ashtu edhe atë të numërimit të votave.

“Në Shqipëri mund të vëzhgohen të gjitha aspektet e një procesi zgjedhor. Megjithatë, vëzhguesit që janë thjesht qytetarë nuk kanë të njëjtat të drejta si vëzhguesit e partive të ndryshme, pasi ata nuk mund të marrin kopje të të dhënave në mbyllje të votimit apo tabelën përmbledhëse të rezultateve apo të paraqesin ankesa në lidhje me zgjedhjet” - tha ai.

Ambasadori Boschardt theksoi se vëzhguesit zgjedhorë janë sytë dhe veshët e publikut në proceset zgjedhore, rojtarët e vërtetë që ndihmojnë në frenimin e mashtrimeve zgjedhore dhe në identifikimin e parregullsive të procesit dhe që me vlerësimin e tyre përfundimtar rezultojnë në fund të jenë zëri i qytetarëve.

OSBE shprehu besimin se vëzhguesve do t'u jepen më shumë të drejta edhe me ndryshime ligjore, dhe e nxiti KQZ-në të marrë të gjithë hapat e nevojshëm për zgjedhjet e 25 qershorit për të garantuar një vëzhgim të plotë të procesit të numërimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG