Lidhje

Të martën, dëshmia e Prokurorit të Përgjithshëm Sessions


Sessions
Sessions

Ligjvënësit amerikanë dëgjojnë të martën një tjetër dëshmi që lidhet me hetimet për Rusinë, kësaj here nga Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, i cili do t’i përgjigjet pyetjeve të një komisioni të Senatit.

Zoti Sessions, ish senator që ka bërë fushatë të fuqishme për Presidentin Donald Trump, dëshmon në komision në një kohë kur ligjvënësit po debatojnë për sanksione më të ashpra kundër Rusisë.

Si njeri i besuar i zotit Trump, Prokurori i Përgjithshëm Sessions e tërhoqi veten nga hetimi për Rusinë. Por senatorët kanë pyetje për zyrtarin më të lartë të zbatimit të ligjit pasi ish drejtori i FBI James Comey la të kuptohej se ekzistojnë edhe arsye të tjera se përse zoti Sessions duhet të qëndrojë larg hetimit:

"Ne dinim gjithashtu fakte, për të cilat nuk mund të flas publikisht, por që do ta bënte problematik pjesëmarrjen e tij në hetimet rreth Rusisë”.

Zoti Sessions u bë objekt kritikash, sepse gjatë seancave për konfirmimin e tij në Senat nuk tregoi për kontaktet që kishte patur me ambasadorin e Rusisë.

"Më kanë quajtur nja dy herë zëdhënës i fushatës së zotit Trump. Unë nuk kam pasur komunikime me rusët".

Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka asnjë dëshmi që të tregojë se presidenti personalisht ka bashkëpunuar me Moskën për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Ajo e ka hedhur poshtë pohimin e zotit Comey se Presidenti Trump i bëri presion për t’i dhënë fund një hetimi rreth ish këshilltarit të sigurisë kombëtar Michael Flynn.

“Nuk ka patur as bashkëpunim dhe as pengim”, thotë zoti Trump.

Disa ligjvënës republikanë janë dakord.

"Unë nuk shoh ndonjë synim për të penguar. Nuk shoh ndonjë shenjë se ka pasur qoftë edhe një dyshim të vogël për korruptim apo pengim,” thotë senatori Mike Lee.

Por një prokuror federal i shkarkuar nga zoti Trump i sheh gjërat ndryshe.

"Do të ishte tepër serioze nëse njerëzit mendojnë se presidenti i Shteteve të Bashkuara mund t’u thotë agjencive ligjzbatuese, bazuar në tekat e tij ose preferencat apo miqësinë e tij personale, se duhet ose nuk duhet të ndjekin çështje të caktuara penale kundër individëve të caktuar. Kjo nuk është mënyra se si funksionon Amerika," thotë ish-prokurori Preet Bharara.

Ndërkohë në Senat ka një përpjekje dypartiake për të ndëshkuar Rusinë për shkak të ndërhyrjes së saj në zgjedhje.

"Është koha për t'iu përgjigjur me forcë dhe vendosmëri sulmit të Rusisë ndaj demokracisë amerikane, me një qëllim të përbashkët dhe me veprime konkrete... Nuk ka kërcënim më të madh për liritë tona sesa sulmet ndaj aftësisë sonë për të zgjedhur udhëheqësit pa ndërhyrje të huaja," thotë senatori John McCain.

Një rezolutë që po shqyrtohet parashikon sanksione të reja amerikane ndaj sektorit energjitik të Rusisë dhe fushave të tjera. Një tjetër do ta bënte më të vështirë zbutjen e sanksioneve ekzistuese kundër Moskës.

"Presidenti dhe zyrtarët e administratës kanë treguar se janë të gatshëm të marrin në shqyrtim heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë në shkëmbim të lëshimeve të Moskës që, tani për tani janë të paqarta dhe të paartikuluara, nëse vërtet do të ketë të tilla. Kongresi duhet të ketë fuqinë për të shqyrtuar çdo vendim të kësaj administrate përpara se sanksionet të hiqen," thotë senatori Chuck Schumer.

Masat që po diskutohen janë pjesë e një projektligji për sanksionet që ka në shënjestër programin e raketave balistike të Iranit dhe mbështetjen e tij për terrorizmin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG