Lidhje

Padi lidhur me pagesat që i bëhen hotelit Trump


Shteti i Merilendit dhe Distrikti i Columbias, siç njihet kryeqyteti i Uashingtonit, kanë ngritur një padi ndaj presidentit Donald Trump. Sipas akuzës perandoria e biznesit e presidentit Trump është në konflikt interesi dhe se po shkel kushtetutën amerikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Gallos njofton nga Shtëpia e Bardhë.

Prej gradaleçelave, fushave të golfit, verës, biftekut apo parfumeve, asnjëherë më parë ndonjë president amerikan nuk e ka patur emrin e tij në kaq shumë produkte.

Ndërsa kjo e ka ndihmuar zotin Trump të jetë një biznesmen shumë i suksesshëm, e ka bërë atë gjithashtu lehtësisht të goditshëm si president.

Dhe kjo doli në pah të hënën, kur shteti i Merilendit dhe Uashington DC paditën zotin Trump me pretendimin se ai po përdorur presidencën për të zgjeruar perandorinë e tij të biznesit.

"Është e pashembullt që populli amerikan të pyesë çdo ditë nëse vendimet apo veprimet e ndërmara i shërbejnë Shteteve të Bashkuara apo presidentin Trump", tha Brian Frosh Prokuror i Përgjithshëm i Merilendit

Konkretisht, nëpërmjet padisë pretendohet se zoti Trump ka shkelur një nen të kushtetutës që ndalon zyrtarët amerikane të marrin dhurata dhe pagesa të ndryshme nga qeveritë e huaja.

Padia fokusohet tek hoteli i zotit Trump në Uashington, që ndodhet vetëm pak hapa larg Shtëpisë së Bardhë.

"Jemi në dijeni se qeveritë e huaja po shpenzojnë para aty për të siguruar favore nga presidenti i Shteteve të Bashkuara. Dua t’u jap një shembull, Mbretëria e Arabisë Saudite, qeveria e së cilës ka interesa të mëdha politike e biznesi, ka shpenzuar me qindra mijëra dollarë në hotelin “Trump International", thotë Karl Racine Prokuror i Përgjithshëm i Uashington DC.

Përfaqësues të organizatës private të zotit Trump thonë se do t’i dhurojnë Departamentit Amerikan të Thesarit, çdo përfitim të marrë nga zyrtarët e huaj që qëndrojnë në hotelet e zotit Trump.

Presidenti Trump u ka dorëzuar kontrollin e perandorisë së tij të biznesit dy djemve të tij të rritur, por ai ka mbajtur pronësinë mbi kompaninë. Kjo e bën atë të prekshëm prej padive që mund të ngrihen ndaj tij në të ardhmen, thotë avokatja Kate Belinsin.

"Mendoj se ky do të jetë gjithmonë një problem. Ai nuk ka marrë hapa për t’u shkëputur nga bizneset e tij sikurse presidentët e tjerë. Mendoj se gjithmonë do të ketë një potencial për këto lloj padish, derisa ai të vendosë të largohet prej bizneseve të tij".

Gjatë një konference për shtyp ditën e hënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer e injoroi padinë më të fundit ndaj presidentit.

"Nuk është e vështirë të dilet në përfundimin se ka një motiv politik në prapaskenën e këtij vendimi”, tha ai.

Në fund, ndikimi më i madh që mund të prodhojnë këto padi tek zoti Trump mund të jetë politik, pasi çështja rrezikon të bëhet një tjetër kokëçarje për një administratë që po përballet ndërkohë me sulme ndaj saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG