Lidhje

Koreja e Veriut liron studentin amerikan


Koreja e Veriut liroi nga burgu një student amerikan, i cili ishte dënuar me 15 vjet burgim për përpjekje për të vjedhur një poster propagandistik në vitin 2016. Njoftimin për lirimin e tij e bëri Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson, i cili tha se 22-vjeçari Otto Warmbier, është liruar nga burgu dhe është në udhën e kthimit për në Shtetet e Bashkuara, ku do të bashkohet me familjen e tij.

Njoftimi për lirimin e Otto Warmbierit erdhi ndërsa ylli i basketbollit amerikan Dennis Rodman u nis për në Korenë e Veriut, me shpresën, siç u shpreh ai, për “hapur një derë” midis Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësve të Phenianit.

56 vjeçari, Rodman, ish ylli i basketbollit amerikan, ka vizituar Korenë e Veriut të paktën katër herë dhe ka krijuar miqësi me udhëheqësin e ri Kim Jong Un, i cili është një tifoz i zjarrtë i basketbollit amerikan, veçanërisht i ekipit Bulls të Çikagos të kohën së Michael Jordan-it, kur Rodman ishte pjesë e ekipit, në vitet 1990.

Nënsekretari amerikan i Shtetit Thomas Shannon i tha gazetarëve se qeveria amerikane është në dijeni të vizitës së zotit Rodman, por theksoi se kjo është një vizitë “private” e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG