Lidhje

Koreja e Veriut dhe amerikanët e arrestuar

  • Kane Farabaugh

Otto Warmbier, studenti amerikan i liruar në gjendje kome javën e kaluar nga Koreja e Veriut, vdiq dje në një spital në Sinsinati të Ohajos. Ai ishte 22 vjeç.

Peniani e dënoi me 15 vjet burg Otto Warmbierin se u përpoq të vjedhë një poster propagandistik. Ai u lirua pas 17 muajsh burg, me një dëmtim të rëndë në tru. Në Shtetet e Bashkuara, një tjetër amerikan nga Ohajo ka ndjekur me vëmendje lajmet, prej burgosjes së studentit Warmbier, lirimit dhe fundit të tij të trishtë. Kane Farabaugh rrëfen historinë e dy amerikanëve të arrestuar në Korenë e Veriut në rrethana të ngjashme, por me një fund të ndryshëm.

Jeffrey Fowle ka më shumë se një gjë të përbashkët me Otto Warmbier, krahas Ohajos ku ndodhet shtëpia e tyre.

"U befasova që dikush tjetër u kap sërish nga sistemi atje”, thotë Jeffrey Fowle ish i burgosur në Korenë e Veriut.

Dhe me "sistem" ai nënkupton Korenë e Veriut, ku në vitin 2014 Jeffrey Fowle ishte në një tur të lejuar prej qeverisë komuniste, i ngjashëm me atë të cilit iu bashkua Otto Warmbier në 2016.

"Koreano-veriorët i joshin amerikanët të shkojnë në vendin e tyre, përmes grupeve turistike që veprojnë në Kinë, nëpërmjet reklamash në internet që thonë se asnjë amerikan nuk do të ndalet kurrë prej autoriteteve atje dhe seky është një vend i sigurt për të shkuar", thotë Fred Warmbier, babai i Ottos.

Pavarësisht historisë së ndalimit të amerikanëve nga Koreja e Veriut, Jeffrey Fowle nuk ishte i shqetësuar.

"Më pëlqen të vizitoj vende të pazakonta".

Një vend "i pazakontë" në itinerarin e Jeffrey Fowle-it ishte qyteti port në veri i Chongjinit. Aty ai la një bibël në anglisht dhe koreançe në banjën e një klubi nate, duke e ditur se kjo nuk lejohej nga qeveria e Koresë së Veriut.

"Jezusi thotë që ta çojmë ungjillin në të gjitha anët e botës. Po përpiqesha të bëja pjesën time, duke vendosur një bibël në një cep të vogël të botës"

Ashtu si Otto Warmbier, Jeffrey Fowle u ndal në aeroport kur po largohej nga Koreja e Veriut. Fillimisht u mbajt në një hotel, pastaj në një "shtëpi mysafirësh" siç e quajnë në Korenë e Veriut, i izoluar. Ai nuk u keqtrajtua fizikisht, ndërsa autoritetet e morën në pyetje rreth Biblës.

"Ishte lodhje mendore dhe emocionale por jo dhunë fizike”

Ndërkohë që e mbanin në arrest, Jeffrey Fowle thotë se dalja e tij e kufizuar në media ishte e orkestruar.

"Gjithshka ishte shumë e kontrolluar dhe unë udhëzohesha çfarë të thosha".

Autoritetet suedeze ndihmuan në negociatat për lirimin e Jeffrey-it në tetorin e vitit 2014, pas gjashtë muaj qëndrimi në Korenë e Veriut. Ai thotë se ajo çfarë ndodhi e bashkoi më shumë me familjen tij.

"Kur njerëzit më pyesin nëse do të kisha mundësi të fshija nga e shkuara gjithshka ndodhi, çfarë do bëja? Në këtë pikë them jo".

Por pas vdekjes së Otto Warmbierit për shkak të një dëmtimi të rëndë në tru gjatë qëndrimit në Korenë e Veriut, Jeffrey thotë se amerikanët duhet të mendohen dy herë përpara se të vendosin të shkojnë atje.

"Jo në klimën e sotme politike. E them gjithandej, nuk ia rekomandoj askujt tani”.

Jeffrey Fowle jeton rreth 80 kilometra nga familja Warmbier. Ata nuk janë takuar por Fowle vazhdon të lutet për familjen e studentit Warmbier si dhe tre amerikanë të cilët ende mbahen nën arrest në Korenë e Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG