Lidhje

Shteti Islamik shkatërron xhaminë historke të Mosulit


Xhamia ikonë e Mosulit Al-Nuri dhe minarja e pjerrët e saj, njohur si el-Hadba ose “kurriz-dalë”, nuk janë më. Ato u shkatërruan nga Shteti Islamik gjatë përpjekjes së forcave irakiane për të dëbuar grupin terrorist nga një prej bazave të tij të fundit në qytet.

Sipas një zyrtari ushtarak, forcat irakiane ndodheshin 50 metra larg xhamisë kur militantët e Shtetit Islamik kryen mbrëmë atë që ai e cilësoi si një tjetër “krim historik” duke hedhur në erë ndërtesën.

Nëpërmjet një deklarate agjencia e lajmeve “Amaq” e Shtetit Islamik akuzoi avionët amerikanë për shkatërrimin e xhamisë.

Por zyrtarët amerikanë dhe të koalicionit reaguan menjëherë duke hedhur poshtë pretendimet e grupit terrorist.

Xhamia mesjetare e njohur edhe si “Xhamia e Madhe e Mosulit” kishte një histori më shumë se 800 vjeçare. Aty, udhëheqësi i Shtetit Islamik Abu Bakr al-Baghdadi në vitin 2014 deklaroi kalifatin që përfshinte pjesë të Irakut dhe Sirisë.

Shkatërrimi i xhamisë vjen në ditën e katërt të një ofensive të trupave irakiane në qytetin e vjetër të Mosulit, mbështetur nga forcat e koalicionit udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Qyteti i vjetër ishte lagjja e fundit në Mosul që kontrollohej nga militantët e IS-isit, e çliruar pas një ofensive tetë mujore të forcave irakiane dhe koalicionit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG