Lidhje

Protesta kundër projektligjit të kujdesit shëndetësor


Pas disa javë negociatash me dyer të mbyllura, republikanët në Senat paraqitën një projektligj për të rishikuar sistemin e kujdesit shëndetësor të Shteteve të Bashkuara dhe për të zëvendësuar të ashtuquajturin "Obamacare". Projektligji u prit me kritika nga demokratët, disa republikanë të moderuar dhe konservatorë, si dhe disa anëtarë të publikut të gjerë.

Presidenti Donald Trump tha përmes një postimi në Tweeter: “Mbështes fuqishëm projektligjin e Senatit për shëndetësinë. Mezi pres që ai të miratohet! Kujtesë, ObamaCare ka marr fund"

Pasi drejtuesi i shumicës në Senat, Mitch McConnell paraqiti propozimin prej 142-faqesh, protestuesit u grumbulluan në Aeroportin Kombëtar Ronald Reagan në Uashington të enjten, me shpresën për të biseduar me senatorët, para se ata të largoheshin për fundjavë.

"Senati paraqiti sot një projektligj të frikshëm të kujdesit shëndetësor. Pasi lexova disa nene të tij, vendosa se ai është i papranueshëm për mua. Jam në programin e tanishëm shëndetësor ObamaCare dhe nuk marr ndihma. Por mendoj se kujdesi shëndetësor është një e drejtë njerëzore. Dhe mendoj se njerëzit që marrin ndihma, kanë nevojë për to për një arsye. Jam këtu për të mbrojtur mundësitë e tyre për të patur kujdes shëndetësor pavarësisht të ardhurave që kanë."

Projektligji i propozuar nga Senati do t'i japë fund kërkesës që shumica e amerikanëve duhet të blejnë sigurime shëndetësore, do të eleminojë me faza subvencionet federale për blerjen e një plani dhe do të zvogëlojë fondet për programin Medicaid, që mbulon shpenzimet e kujdesit shëndetësor për të varfërit dhe personat me aftësi të kufizuara.

"Kujdesi shëndetësor është një e drejtë njerëzore, dhe ne jemi në vendin më të pasur në botë. Nuk ka arsye përse të mos të jemi në gjendje të caktojmë fonde për të ndihmuar njerëzit e varfër."

Kujdesi shëndetësor përbën gati një të gjashtën e ekonomisë në Shtetet e Bashkuara.

Republikanët kanë nevojë për 50 vota nga 52 senatorët që kanë në Senat, në mënyrë që projektligji të miratohet. Ai përballet me një opozitë të njëzëshme të demokratëve. Deri tani katër senatorë republikanë kanë lënë të kuptohet se nuk do ta mbështesin projektligjin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG