Lidhje

Siri: Rrethohet qyteti Raka, bazë e Shtetit Islamik


Zyrtarët amerikanë thonë se Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Perëndimi kanë rrethuar plotësisht qytetin Raqqa që njihet si bazë e Shtetit Islamik. Ata thonë se janë bllokuar të gjitha shtigjet nga ku militatët mund të shpëtojnë. Departamenti i Shtetit ka theksuar rëndësinë që pas çlirimit të këtij qyteti nga kontrolli i Shtetit Islmaik, të zgjidhet një qeveri e miratuar nga popullsia lokale. Siç na njeh edhe materiali në vazhdim, rënia e qytetit Raka nuk nënkupton përfundimin e aktivitetit të Shtetit Islamik në Siri.

Forcat kurde dhe arabe gjetën tunele shpëtimi ndërsa shtrengonin rrethimin e qytetit Raka. Ata thonë se zona përreth gjithë qytetit tani është nën kontrollin e tyre, dhe militantët nuk kanë nga të dalin. Abou Khalil Al-Raqqaqi është komandant i forcave siriano-kurde.

“Jemi në anën perëndimore të Raqqa-s dhe gjërat duken mirë. Morali është i lartë mes luftëtarëve dhe ne kemi kontrollin. Pjesa dërmuese e zonës është nën kontrollin tonë.”

Uashingtoni thotë se pas çlirimit të qytetit Raqqa, është kritike që zyrtarët lokalë të marrin drejtimin dhe sigurinë e qytetit.

“Fushata po përparon në drejtim pozitiv. Jemi të kënaqur por ky nuk është fundi dhe do të duhet shumë punë në të ardhmen”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauret.

Egziston frika se qeveria e presidentit Assadit po planifikon marrjen nën kontroll të qytetit Raqqa.

“Shpresojmë që jo dhe është çështje shumë e debatuar pasi Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të jenë në gjendje t’i stabilizojnë këto zona dhe përfundimisht banorët të kthehen në shtëpitë e tyre qoftë në Siri apo në Mosul të Irakut”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit.

Zëdhënësi i forcave të koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Kolonel Ryan Dillon, tha se ata do të vazhdojnë të luftojnë militantët islamikë në zona të tjera dhe se prezenca e forcave të qeverisë siriane e komplikon situatën.

“Shkuarja drejt qendrës së luginës së Eufratit do na vinte përballë forcave të regjimit. Ose duhet të ndryshojmë drejtimin ose të biem në ujdi me rusët që të zgjidhet ky konflikt.” '

Tjetër poblem është Turqia e cila kundërshton rreptësisht mbështetjen amerikane për forcat kurde që luftojnë militatët, nën drojën se ata mund të bashkohen me kurdët e Turqisë për të formuar një Kurdistan të pavarur. Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar disa trupa përgjatë kufirit të Turqisë me Sirinë për të dekurajuar sulmet ajrore turke ndaj pozicioneve kurde.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG