Lidhje

Anulohen planet për ndërtimin e selisë së re të FBI-së


Agjencia qeveritare e Shteteve të Bashkuara, që menaxhon ndërtesat e qeverisë federale, pritet të njoftojë të martën se do të heq dorë nga përpjekja e debatueshme një dekadëshe për ndërtimin e selisë së re të Byrosë Federale të Hetimeve, FBI.

Ky vendim vjen tre vjet pasi Agjencia e Shërbimeve zgjodhi tre vende të mundshme në periferi të Uashingtonit për ndërtimin e një kampusi të ri të sigurt për 11000 punonjës të FBI-së.

Aktualisht vetëm rreth gjysma e këtyre punonjësve punojnë në ndërtesën J. Edgar Hoover në Pensilvania Avenue (Uashington). Pjesa tjetër e punonjësve është e shpërndarë në një numër vendesh të tjera, duke rritur koston e operimit dhe duke vështirësuar përpjekjet e tyre për të përmbushur në mënyrë efikase objektivat e FBI-së.

Vendndodhja e ndërtesës në qendër të Uashingtonit gjithashtu ngre shqetësime për sigurinë. Policia e FBI-së patrullon jashtë ndërtesës, vazo të rënda betoni rrethojnë ndërtesën, ndërkohë që banorët dhe turistët mund të ecin pranë dyerve të ndërtesës gjatë gjithë orëve të ditës.

Një nga synimet e përmendura për objektin e ri ishte përmirësimi i nivelit të sigurisë, ngjashëm me objekte të tjera qeveritare si Pentagoni dhe selia e CIA-s, me një perimetër të sigurt që ndan publikun nga ndërtesa.

Një seli e re e FBI-së gjithashtu do të përmirësonte kushtet e punës në krahasim me ato në ndërtesën Hoover, e cila u hap në vitin 1974 dhe tani në disa pjesë të sipërme është e mbështjellur me rrjeta metalike për të shmangur rënien e copave të betonit në trotuar.

Projekti me një kosto prej afro 2 miliardë dollarësh u përball me kundërshtime nga Kongresi, i cili nuk kishte miratuar fondet për atë. Pjesë e projektit ishte edhe riparimi i ndërtesës Hoover.

Agjencia e Shërbimeve tashmë kishte marrë oferta nga kompanitë për projektin dhe përfundimisht pritej të zgjidhte fituesin e projektit, një proces që kishte ngritur shqetësime rreth lidhjeve midis familjes së Presidentit Donald Trump dhe kompanive të përfshirë në tenderë.

Një nga finalistët e këtij procesi njoftohet se ishte kompania Vornado e drejtuar nga Stephen Roth, e cila në të kaluarën ka punuar me Presidentin Trump dhe ishte partnere e dhëndërit të tij, Jared Kushner në biznese të pasurive të patundshme.

Ligjvënës nga Virxhinia dhe Merilendi, dy shtetet ku ndodheshin vendet e mundshme për ndërtimin selisë së re të FBI-së, kritikuan vendimin e qeverisë përpara njoftimit të tij zyrtar.

"Njoftimet se qeveria federale po tërhiqet nga projekti për ndërtimin e selisë së re të FBI-së zbulojnë konfliktet e pakapërcyeshme të zotit Trump me Agjencinë e Shërbimeve, FBI-në dhe kompaninë Vornado," thuhej në një mesazh të ligjvënësit demokrat nga Virxhinia, Gerry Connolly në Twitter. "Ky është një lajm i rëndë. Konfliktet kanë pasoja."

"Administrata e Presidentit Trump dhe republikanët në Kongres po vënë në rrezik sigurinë e vendit tonë," tha ligjvënësi nga Merilendi, Steny Hoyer, një nga udhëheqësit e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG