Lidhje

Kandidati për të drejtuar FBI-në premton paanshmëri


Kandidati i Presidentit Donald Trump për postin e Drejtorit të FBI-së, Christopher Wray, tha sot në seancën për konfirmimin e tij se nëse ai konfirmohet, agjencia do të vazhdojë funksionojë pa iu nënshtruar asnjë ndikimi politik.

“Unë kam bindje të thellë se ka vetëm një mënyrë të duhur për të shërbyer në këtë post, dhe ajo është me një pavarësi të plotë, në bazë të rregullave, me drejtësi, me besnikëri ndaj Kushtetutës dhe praktikave më të mira të institucionit”, tha zoti Wray.

Zoti Wray, një avokat dhe ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë po përballet me pyetje nga anëtarët e Komisionit Juridik të Senatit, shumë prej të cilëve po kërkojnë garanci që ai mund të punojë në mënyrë të pavarur nga Shtëpia e Bardhë.

Anëtarja e Komisionit, Feinstein tha në komentet e saj se FBI-ja duhet të vazhdojë të funksionojë e pavarur dhe pa presion politik, pasi siç tha ajo drejtor i FBI-së nuk i shërben presidentit, por kushtetutës, ligjit dhe popullit amerikan.

Nëse konfirmohet, zoti Wray do të zëvendësojë James Comey-n që u shkarkua nga Presidenti Trump, ndërsa drejtonte hetimin e FBI-së për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG