Lidhje

PD, Basha fiton me mbi 91 përqind. Reagimet


Drejtuesi i Partisë Demokratike Lulzim Basha u rikonfirmua në krye të forcës kryesore të opozitës për një mandate të dytë, pas një fitoreje të thellë ndaj rivalit të tij Eduard Selami, në zgjedhjet e zhvilluara dje.

Zgjedhja e kryetarit të Partisë Demokratike
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:50 0:00

Sipas rezultatit në përfundim të numërimit, zoti Basha rezulton të ketë marrë 53 mijë e 931 vota kundrejt vetëm 5136 vota që shkuan në favor të kandidatit tjetër, ose mbi 91 për qind. Votimet për kreun e ri të PD-ës, u zhvilluan në një klimë tensionesh të brendshme dhe polemikash të forta, që pasuan humbjen e thellë të kësaj force politike në zgjedhjet e 25 Qershorit.

Deri në orët e para të ditës së sotme nuk ka patur deklarata nga asnjë prej kandidatëve në garë. Zoti Selami, pritet të dalë në një konferencë për shtyp rreth mesditës, ndërsa dje shprehu shqetësime për disa parregullsi, duke deklaruar se një vlerësim i plotë i procesit do të bëhej në përfundim të tij.

Kundërshtarë të zotit Basha në parti, që e kanë cilësuar procesin zgjedhor brenda saj “një farsë me fitues të paracaktuar”, hodhën dje dyshime të forta për manipulime të procesit. Astrit Patozi, i cili nuk u përfshi në garën për kreun e PD-ës pasi garancitë e kërkuara prej tij për një proces të barabartë nuk u morën parasysh, denoncoi përpjekje sipas tij për të rritur artificialisht numrin e votuesve, në mënyrë që zoti Basha, të tregonte se kishte mbështetje të gjerë në parti.

Në votimet e djeshme, sipas të dhënave zyrtare të PD-ës, morën pjesë 60 mijë anëtarë, ose 57.5 për qind e anëtarësisë. Krahasuar me vitin 2013, kur zoti Basha u zgjodh për herë të parë kryetar, janë afro 20 mijë më shumë që kanë zgjedhur të dalin të votojnë. Një e dhënë e cila sipas zotit Patozi rikonfirmon “farsën që po kapërcen çdo imagjinatë”, ndërsa në postimin e tij në Facebook ironizon më pas duke shkruar se “sa më e thellë humbja, aq më e madhe dashuria për udhëheqësin e lavdishëm të partisë dhe popullit. Sepse është rasti tipik kur dhimbja kthehet në forcë. Por për shembullin e Koresë së Veriut nuk kam gabuar. Ky është modeli që sot po instalohet në Partinë Demokratike”.

Tone ironike ka përdorur sot zoti Patozi edhe ndaj kandidatit Eduard Selami, ndaj të cilit ai gjatë gjithë kohës kishte hedhur dyshime se ishtë përfshirë në garë për të legjitimuar procesin e organizuar nga zoti Basha. Ai postoi në Facebook, mesazhin që siç shkruan ai i ka dërguar zotit Selami: "Urime Eduard! Nuk duhet të kesh asnjë peng. Megjithëse nuk fitove, i shkove shumë afër fitores."

Deklaratat e rivalëve Basha e Selami

Dy rivalët për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Eduard Selami dhanë sot komentet e tyre pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të të shtunës.

I konfirmuar për një mandat të dytë në drejtimin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se pjesëmarrja masive në votime është dëshmia e besimit të demokratëve tek partia e tyre dhe vlerat e demokracisë. “Pjesëmarrja në votime është edhe tregues se demokratët janë të vendosur të punojnë për forcimin e Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë dhe se e ardhmja e PD-së është e sigurtë” - tha zoti Basha.

Ai falenderoi antarët për besimin, që i dhanë, duke e rizgjedhur kryetar të PD-së, ndaj do të punonte me përkushtim dhe vendosmëri, me ndershmëri dhe dinjitet për ta kthyer Partinë Demokratike, europiane dhe perëndimore, në drejtimin e vendit.

“Vota e 60 mijë demokratëve konfirmoi dje se kauza jonë e zgjedhjeve të lira, e çlirimit të vendit nga korrupsioni e droga, e kthimit të politikës tek qytetari, është kauza e drejtë e kohës, është kauza me më shumë mbështetës të lirë e të vendosur sot, dhe një kauze që do të shkojë përpara pa u ndalur” - tha zoti Basha.

Zoti Basha tha se demokratët humbën zgjedhjet parlamentare, por nuk humbën besimin tek partia dhe tek vetja, te vlerat, dinjitetin, forcën dhe kurajon, qytetarinë as shpirtin europian.

“Me vlerat tona, me vendosmërinë dhe punën tonë, ne do të rifitojmë besimin e shqiptarëve dhe do të japim kontributin tonë të pazëvendësueshëm për të ardhmen e Shqipërisë. Ne duhet të shohim përpara, duke u përmirësuar, duke u demokratizuar, duke u modernizuar” - tha zoti Basha.

Ai tha se Partia Demokratike do të jetë më demokratike, duke i dhënë pushtet anëtarëve të saj dhe duke e kaluar vendim-marrjen për çështjet kryesore tek anëtarët, se ata nuk do të nëpërkëmben, por do të pyeten e do të shprehen.

“Vota dhe bashkimi i djeshëm është edhe një detyrë dhe kontratë e re për demokratët dhe për vendin, që na angazhon, e më angazhon mua shumëfish, me pergjegjësinë për ta bërë Shqipërinë një vend të mirë për të jetuar. Një vend të sigurtë, të lirë, një vend ku sundon ligji, ku vendos qytetari, ku qeveria nuk shkel me këmbë por shërben, ku paratë dhe instrumentat e shtetit janë për njerëzit, e jo njerëzit instrumenta të pushtetarëve” - tha zoti Basha.

Ndërsa zoti Selami uroi rivalin e tij për fitoren, dhe tha se do të punojë për forcimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike.

“Kjo është; demokracia. Ka një votim, ky votim është bërë dhe unë e respektoj këtë votim. E kam telefonuar zotin Basha sot dhe e kam uruar për fitoren. I bëj thirje gjithë demokratëve të gjithë atyre që kanë votuar për mua ose jo, dhe atyre që kanë bojkotuar, eja të bashkohemi, t'i japim Shqipërisë një opozitë të fortë, për të cilën ka shumë nevojë vendi” - tha zoti Selami.

Ai tha se zgjedhjet ishin të pabarabarta, por megjithatë ishin një hap i rëndësishëm përpara, se PD ka dalë më e fortë nga kjo garë dhe se ai do të vazhdojë ndihmesën e tij si anëtar i PD.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG