Organizata Siriane e të Drejtave të Njeriut me qendër në Britani, raportoi se armëpushimi i arritur të enjten për pjesën veriore të qyteti Homs në Siri, po respektohet.
Sipas përfaqësueve të organizatës, kjo u ka dhënë një mundësi civilëve për të rifilluar jetën normale.
Armëpushimi shihet si mundësi e mirë edhe për punonjësit humanitarë që të sjellin ndihmat e nevojshme në këtë zonë të Sirisë.
Detajet e armëpushimit u caktuan javën e kaluar në Kajro, mes zyrtarëve rusë të mbrojtjes dhe përfaqësuesve të rebelëve sirianë.
Edhe në dy pjesë të Sirisë jugore janë në fuqi marrëveshjet e armëpushimit, si dhe në një zonë jashtë Damaskut. Pritet ende të arrihet marrëveshje për një zonë të katërt, atë të provincës së Idlibit.
Ashtu si marrëveshjet e tjera të armëpushimit gjatë konfliktit sirian, kjo nuk mbulon luftëtarët e Shtetit Islamik, ose grupet e lidhura me al-Kaidën.
Facebook Forum