Lidhje

Modernizimi i kërkimeve në arkivat e shtetit


Në Tiranë sapo ka përfunduar një projekt modernizimi për kërkimin shkencor dhe shërbimin në Arkivin Qendror të Shtetit.

Përmes teknologjisë së re, studiuesit mund të gjejnë më lehtë dokumentat e kërkuar dhe arkivi siguron një shërbim dhe shfrytëzim më të shpejtë e më të lehtë të materialeve shkencore. Korrespondenti ynë, Ilirian Agolli, njofton nga Tirana.

Arkivi Qendror i shtetit Shqiptar sapo ka përfunduar digjitalizimin e fondeve arkivore, një punë e nisur në vitin 2003 dhe tashmë e arritshme lirisht nga publiku dhe studiuesit në rrjet online nga çdo vendndodhje.

Sistemi i ri elektronik rregullon gjithë procedurën e brendshme të kërkimit shkencor dhe lehtëson mjaft punën e studiuesve për të arritur tek dokumenti historik.

Drejtori i arkivit të shtetit, dr. Ardit Bido, thotë se ky është zhvillimi më i madh i këtij institucioni në dekadat e fundit.

Katalogu online, sipas është një projekt i financuar mbi 2 milionë euro nga qeveria zvicerane nga viti 2003, për realizimin e të cilit kanë punuar me përkushtim drejtuesit e mëparshëm Shaban Sinani dhe Nevila Nika, ndërsa aplikimi i ri është fryt i mundit të punonjësve të arkivit.

Nga ana tjetër, dr.Bido theksoi se përgatitja dhe ruajtja e dokumentave shtetërore administrative është një proces që ka nëvojë për reformim të thellë ligjor dhe shkencor.

Ndërkohë që arkivi vazhdon të sistemohet, kmodernizohet dhe reformohet, aty vazhdojnë të dhurohen mijëra dokumenta nga familjet e figurave të shquara të historisë së Shqipërisë.

Këto dhurime sa vijnë e shtohen çdo muaj me ritme të larta, krahas kërkimeve dokumentare në bashkëpunim me arkivat e shteteve të tjerë europiane.

Falë rregullimeve të fundit ligjore dhe teknologjike, pohojnë studiuesit e kësaj fushe, tashmë AQSH është e krahasueshme nga pikëpamja profesionale me arkivat perëndimore, që kanë sisteme të këtij lloji, dhe me hapat e fundit teknologjike, ka shkuar shumë përpara arkivave të rajonit të Ballkanit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG