Jessi Calzado-Esponda u bë aksidentalisht refugjate, kur ajo ishte vetëm 7 vjeç. Kjo ishte vetëm një hallkë në zinxhirin e vështirësive që ajo përjetoi, që nga të qënit e pastrehë e deri tek një aksident i rëndë me makinë. Megjithatë, ajo nuk e humbi kurrë shpresën dhe tani është një ambasadore kulturore e stilit të saj të veçantë, që ndihmon për lidhjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës.
Flamujt që zbukurojnë zyrën e Jessi Calzado-Espondas në periferi të Uashingtonit pasqyrojnë dashurinë e saj për të dy vendet: Shtetet e Bashkuara dhe Kubën.
“Gjithmonë i kam konsideruar SHBA dhe Kubën si dy prindër të divorcuar, ku babai janë Shtetet e Bashkuara dhe Kuba është nëna. Është detyra ime të jem një urë lidhjeje në mosmarrëveshjet mes tyre, sepse i dua që të dy,”- thotë ajo.
Kur SHBA rivendosën marrëdhëniet diplomatike me Kubën pas më tepër se 50 vjetësh, Calzado-Esponda hapi një agjenci udhëtimesh, të quajtur “Cuba Inspires”.
“Gjithshka ka shkuar shkëlqyeshëm. Klientët tanë të parë janë ekipi Kardashian. Kemi klientë njerëz me famë, kisha, organizata jo-fitimprurëse, korporata, shkolla…Më pëlqen shumë t’i njoh amerikanët me Kubën,”- thotë Jessi.
Calzado-Esponda ka lindur në Havana të Kubës, në një familje që i pëlqen shumë muzika.
“Muzika është pjesë e jetës sime që kur isha e vogël. Mbaj mend që nganjëherë, kur në Kubë iknin dritat, e gjithë familja dilte jashtë me kitarra duke kënduar dhe kërcyer,”- thotë Jessi.
Por fëmijëria e saj e lumtur u ndërpre papritur kur ajo ishte 7 vjeçe dhe kur u gjend aksidentalisht në një traget drejt Amerikës:
“Tezja ime po shkonte në Amerikë dhe ne po e përcillnim atë, kur pati një lloj kaosi dhe sa hap e mbyll sytë, unë u gjenda në traget, bashkë me gjyshen.”
Grupi i refugjatëve u shpëtua në det nga Roja Bregdetare Amerikane dhe u transferua në bazën ushtarake në Gjirin e Guantanamos. Ata qëndruan atje për 6 muaj dhe më pas u vendosën në Tampa, të Floridës.
“Pasi tezja kreu vetvrasje, gjyshja dhe unë përfunduam për një farë kohe në një qendër për të pastrehët,” - thotë Jessi.
Atje një mërues dalloi që ajo kishte talent për muzikë dhe e ndihmoi të fitonte një bursë për të vazhduar shkollën e mesme.
“Pak nga pak, natyrisht që shpesh e patëm të vështirë, por ja dolëm; në saje të mbështetjes së vazhdueshme të komunitetit.”
Pasi mbarova shkollën e mesme Jessi u vendos në Uashington, ku mundi të gjejë punë në ekipin e një kongresmeni; por një aksident me makinë i shkaktoi dëmtime në tru, me pasojë humbjen e kujtesës:
“Pata besim te Zoti. M’u desh një kohë shumë e gjatë për të arritur këtu ku jam tani,” thotë Jessi.
Afro 20 vjet pas largimit të saj akidental, Calzado-Esponda u kthye përsëri në Kubë.
“Fatkeqësisht, një ditë para se unë të mbërrija në Kubë, më vdiq mamaja. Pra për herë të parë i takova famlijarët e mi në funeralin e nënës. Diçka surreale, edhe e mirë, edhe dhimbshme.”
Në vitin 2010, Calzado-Esponda më në fund zbuloi një vend që mund ta quajë të vetin.
“Dita kur mora shtetësinë amerikane ishte një nga lumturat për mua. Deri atëherë, unë kisha patur statusin e refugjatit, prandaj qytetaria amerikane ishte shumë e rëndësishme për mua.”
Tani Calzado-Esponda është shumë e zënë: ajo po planifikon ceremoni të ndryshme, si për shembull një konkurs midis koreve amerikane dhe kubane, si dhe një maratonë…
Facebook Forum