Lidhje

Pajisje të reja që ndihmojnë pacientët me goditje në tru


Njerëzve që u mbijetojnë goditjeve në tru shpesh u duhet të luftojnë në jetën e përditshme me pasojat e rënda që lë sëmundja. Atyre mund t’u duhet t’i nënshtrohen terapisë fizike me muaj të tërë, në mënyrë që gjymtyrët e dëmtuara të rifitojnë ndjeshmërinë. Për këtë arsye, shkencëtarët kanë krijuar një dorë artificiale, e cila i ndihmon pacientët me dëmtime në tru që të rifitojnë ndjeshmërinë ndaj të ftohtit, apo të nxehtit, si dhe të dallojnë ndjesinë mes metarialeve të ndryshme, si xhami, apo kartoni. Ky zbulim është paraqitur në ekspozitën e novacioneve teknologjike në Londër, të quajtur “Konventa e Trurit”.

Kjo dorashkë mund të jetë një mjet i rëndësishëm për rehabilimin e pacientëve me goditje në tru. Është një aplikim që përmes stimulimit mekanik ose elektrik, dërgon te truri ndjesitë e të prekurit, si i nxehti apo i ftohti, sipërfaqja e butë apo e ashpër.

Kompania teknologjike Morgan Innovation e ndërtoi këtë pajisje në bashkëpunim me studiuesit e Universitetit Southampton.

“Përdoruesi e sheh objektin në ekran dhe e di se çfarë po prek; atëherë, truri edukohet që të ndjejë; pacientët ndjejnë diçka ndryshe për ndjesitë e reja që përjetojnë dhe në këtë mënyrë, i edukojnë neuronet me impluse të reja,”- thotë inxhinieri Clarke.

“Pacientja mund të ushtrojë presion në të gjitha mollëzat e gishtave dhe të ndjejë të ftohtin, ose të nxehtin, pastaj xhamin, edhe pse nuk e prek atë, apo kartonin, përmes gishtit tregues. Duket e çuditshme, po ma merr mendja se ka për të qenë diçka shumë e mirë.”- thotë specialistja.

Studiuesit besojnë se pajisjet haptike po bëhen më të rëndësishme, ngaqë pacientët me goditje në tru s’marrin gjithmonë fizioterapinë e duhur.

“Me këtë pajisje i lejojmë njerëzit të punojnë në kushtet e shtëpisë, duke u dhënë stimulimin e nevojshëm; specialisti i terapisë fizike do të jetë në gjendje t’i montorojë pacientët nga larg, duke parë se kush e ka kryer terapinë fizike dhe kush jo.”

Në “Konventën e trurit”, janë ekspozuar gjithashtu edhe lloje të tjera dorashkash, ku shkencëtarët nga gjithë bota shkëmbejnë mes tyre teknologji të reja që mund të ndihmojnë në rehabilitimin e njerëzve pasi u është dëmtuar truri.

Mes risive të ekspozuara janë pajisjet e realitetit virtual, falë industrisë së lojrave elektronike, e cila ka investuar miliona dollarë për zhvillimin e teknologjisë.

Këto kufje tregojnë një numër programesh që janë krijuar për t’u ardhur në ndihmë pacientëve që të rikuperohen pas një dëmtimi në shtyllën kurrizore.

"Falë tyre, njerëzit mund të vazhdojnë të lëvizin dhe të ndjejnë më pak dhimbje; duke i ndjekur në tabletë, mund t’i orientosh.”

Pajisja Vibramoov bazohet tek vibracionet e stimulimit mekanik. Ajo nxit mesazhet mes trurit dhe trupit.

"Zakonisht, aktiviteti drejtohet nga truri drejt muskulit, kontraktimeve të muskujve etj. për të realizuar një lëvizje, por edhe vetë muskuli i dërgon informacione trurit, për t’i shpjeguar llojin e lëvizjes që po bën. Diapazonin e lëvizjes, shpejtësinë apo drejtimin e saj. Përmes këtij stimulimi mekanik, mund të merret informacion rreth lëvizjes, edhe në se pacienti nuk është në lëvizje.”- thotë krijuesi i pajisjes Vibramoov.

Kjo pajisje tashmë ka ndihmuar shumë pacientë në mbarë botën që të stimulojnë ndjesitë dhe të shpresojnë te rikthimi i plotë i tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG