Lidhje

Arrestime gjatë protestave në San Francisko


Protestat vazhduan dje për të dytën ditë në qytetin e Berklit në Kaliforni, mes anti-protestuesve të majtë dhe një grupimi të ekstremit të djathtë që një ditë më parë kishte anuluar tubimin e planifikuar në San Francisko.Policia njoftoi se kishte arrestuar 13 vetë nga grupet demonstruese të ekstremit të djathtë dhe anti-protestuesit e grupeve të majta.

Përleshje të tensionuara por të shkurtra shpërthyen kur një grup me mbi 100 protestues të majtë rrethuan dhe filluan të shajnë dhe të sulmojnë disa demonstrues të grupimeve të djathta, përfshirë kreun e një grupi që kishte anuluar aktivitetin e planifikuar për të shtunën në San Francisko.

“Qëndroni larg qyteteve tona. Larg universiteteve tona. Amerika nuk është fashiste që të tolerojë supremacistët e bardhë. U bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë ndërgjegje në të gjithë vendin, pavarësisht nga përkatësia politike, apo perspektiva, që të ngrihen kundër supremacistëve dhe fashizmit kudo ku ngre kokën e tij të shëmtuar,” thotë një nga organizatorët e protestës “Refuzojmë Racizmin në San Francisko”.

Dje ishte dita e dytë e protestave në zonën e San Franciskos. Policia tha se kishte arrestuar 13 persona.

Një tjetër kundër-protestë u zhvillua në Universitetin e Kalifornisë në Berkli, megjithëse drejtuesit e universitetit kishin bërë thirrje për shmangien e tubimeve. Turma e protestuesve marshoi më pas drejt një parku në qytet për t’u bashkuar me demonstrues të tjerë.

“Mendoj se është e rëndësishme që të bardhët të dalin dhe të ngrenë zërin kundër këtyre tendencave, pasi heshtja e të bardhëve lë shteg për racizëm të institucionalizuar. Prandaj duhet që të bardhët të dalin dhe të luftojnë kundër fashizmit, në mënyrë që personat me ngjyrë të mos shtypen në mënyrë sistematike nga qeveria,” thotë protestuesja Megan Williamson.

Policia në San Francisko ishte përgatitur skenare të ndryshme, qoftë edhe të dhunshme gjatë protestave, që nga incidentet më 12 gusht në Sharlotsvill të Virxhinias.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG