Lidhje

Reagime kundërthënëse mes kundërshtarëve dhe aleatëve të Phenianit


Programi i armëve bërthamore i Koresë së Veriut është kërcënimi më serioz me të cilin përballet aktualisht bota, deklaroi sot, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, duke paralajmëruar se "retorika konfrontuese mund të çojë në pasoja të padëshiruara."

Në selinë e OKB-së në Nju Jork, Antonio Guterres tha se "zgjidhja duhet të jetë politike. Pasojat e mundshme të veprimeve ushtarake janë shumë të tmerrshme", tha Sekretari i Përgjithshëm.

Negociatat do të varen nga vullneti i palëve, "shtoi zoti Guterres. "Apeli im nuk është për ndonjë zgjidhje specifike."

Koreja e Veriut të martën, dy ditë pas provës së saj të fundit bërthamore, e shpalli veten një "fuqi të plotë bërthamore që posedon raketën bërthamore ndërkontinentale ICBM, si dhe bombën A dhe bombën H".

Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se po "lejon Japoninë dhe Korenë e Jugut të blejnë një sasi të konsiderueshme të pajisjeve ushtarake shumë të sofistikuara nga Shtetet e Bashkuara.

Koreja e Jugut ka kryer të parën nga tre stërvitjet me zjarr në ujrat e brigjeve lindore të vendit, ndërsa Seuli vazhdoi të demonstronte aftësitë ushtarake pas provës së fundit bërthamore të Koresë së Veriut. Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se durimi i Uashingtonit nuk është pa fund, ndërsa Kina dhe Rusia, dy aleatët më të mëdhenj politikë të Pehnianit, thanë se thirrjet për ashpërsimin e mëtejshëm të sanksioneve nuk do të kontribuonin në zbutjen e tensioneve në gadishull.

Ministria e Mbrojtjes e Seulit tha të martën se anijet luftarake morën pjesë në stërvitje për një arsye të veçantë.

“Stërvitja kishte si synim të kontrolloheshin pozicionet e luftimeve të marinës, për të qenë gati për provokimet detare të Koresë së Veriut dhe për forcimin e vendosmërisë së marinës për të ndëshkuar armikun për këto provokime”, tha Jang Wook i Marinës së Koresë së Jugut.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij në Seul ranë dakord të hënën që të heqin të gjitha kufizimet për ngarkesën e raketave koreano-jugore dhe të kërkojnë sanksione edhe më të ashpra të Kombeve të Bashkuara kundër Koresë së Veriut.

Presidenti koreano-jugor, Moon Jae-in, u ka kërkuar gjithashtu Kombeve të Bashkuara të shqyrtojnë mundësinë e bllokimit të furnizimeve me naftë për Korenë e Veriut, siç u thanë zyrtarët qeveritarë gazetarëve.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk kanë përmendur sanksione nafte kundër Phenianit, por gazeta New York Times shkruan se kjo mundësi është e parashikuar në një projekt-rezolutë që Shtetet e Bashkuara po e qarkullojnë mes anëtarëve të Këshillit të Sigurimit duke e diskutuar privatisht.

Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley në sesionin urgjent të Këshillit të Sigurisë të hënën, paralajmëroi ashpër diktatorin Kim Jong Un.

“Përdorimi i raketave dhe kërcënimet e tij bërthamore tregojnë se ai po kërkon luftë. Shtetet e Bashkuara nuk duan asnjëherë luftë, nuk e duam as tani, por durimi i vendit tonë nuk është i pafund. Ne do t’i mbrojmë aleatët tanë dhe territorin tonë”.

Rusia dhe Kina që vazhdimisht kundërshtojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Phenianit, u kanë bërë thirrje kohët e fundit Shteteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut që t’u japin fund të gjitha stërvitjeve të përbashkëta ushtarake, në këmbim të tërheqjes së Koresë së Veriut nga programi i provave bërthamore dhe me raketa.

Duke folur të martën në qytetin Xiamen të Kinës, ku po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të grupit BRIC, ku bëjnë pjesë vendet me ekonomi në zhvillim Brazili, Rusia, India dhe Kina, presidenti rus Vladimir Putin dënoi Phenianin për provën e fundit me raketë por paralajmëroi se intensifikimi i një “histerie ushtarake” do të sillte si rezultat asgjë më tepër se një “katastrofë globale”. Ai kritikoi gjithashtu thirrjen e Shtetet e Bashkuara për shtimin e sanksioneve kundër Phenianit duke e quajtur “të padobishme dhe joefektive” dhe shtoi se ishte “qesharake” që Uashingtoni të imponojë sanksione ndaj Moskës për tregëti me Korenë e Veriut nga njëra anë dhe të kërkojë ndihmë për vendosjen e sanksioneve ndaj regjimit të izoluar nga ana tjetër.

Ambasadori kinez në Kombet e Bashkuara tha se Pekini nuk do të lejojë destabilitet në rajon. Ai tha se çdo veprim duhet të merret në koordinim me Rusinë dhe Kinën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG