Lidhje

Hapja e bisedimeve me BE, Bushati: 2018 vendimtare


Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati tha sot se viti 2018 do të jetë vendimtar për avancimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin europian. Duke folur në Këshillin Kombëtar të Integrimit, zoti Bushati i cili në qeverinë e re do të jetë përgjegjës dhe për këtë proces, pas shkrirjes së Ministrisë së Integrimit europian shpjegoi se “në pranverën e 2018-s, Bashkimi europian do të diskutojë për paketën e zgjerimit dhe në rast të një vendimmarrjeje për ne, që shpresojmë të jetë pozitive për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, periudha një vit e gjysmë përpara do të jetë vendimtare, sepse 2019-a do të jetë rinovim institucionesh në BE. E kur ka rinovim insitucionesh dhe mandatesh, nuk ka domosdoshmërisht një fokus te ky lloj procesi”.

Ministri i Jashtëm vuri theksin te angazhimi i vetë strukturave politike dhe shtetërore për të çuar përpara procesin. “BE-ja lëviz, ndonësë jo me atë lloj shpejtësie dhe vrull që ne do të dëshironim të lëvizte. Por e sigurtë është se ku ka vullnet për reforma, ku ka vullnet për transformim, është e vështirë të thuhet që BE-ja nuk është përgjigjur. Kishte vullnet për të ecur përpara me statusin e vendit kandidat dhe BE-ja erdhi me përgjigjen përkatëse. Kishte një vullnet shumëpartiak i cili kërkoi kohën e vet për tu kalçifikuar, me reformën në Drejtësi dhe çështjet e tjera që lidhen me fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe Komisioni europian erdhi me rekomandimin përkatës dhe tani është e qartë që topi është në fushën tonë. Nevojitet që ne të forcojmë më tej konsensusin kombëtar dhe dialogun politik, në mënyrë që integrimi europian të mos jetë thjesht retorikë, por të jetë edhe ai që ne dëshirojmë ta konsiderojmë si projekti ynë i vetëm kombëtar”, nënvizoi ministri duke shtuar se “duke qenë se jemi para fillimit të Parlamentit të ri, shpresoj shumë që vullneti politik qeveri-opozitë te ky proces do të duhet të demonstrohet me një cilësi më të madhe dhe me një bashkëpunim edhe më të strukturuar sesa në të kaluarën”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG