Lidhje

Integrimi i refugjatëve në Gjermani


Fluksi i më shumë se një milion azil-kërkuesve në Gjermani në vitin 2015, shihet gjerësisht si nxitës i rritjes së partisë anti-imigrantëve, ‘Alternativa për Gjermaninë’ ose AfD, e cila fitoi 13% të votave në zgjedhjet e së dielës. Qeveria shpreson ta frenojë këtë rritje duke i integruar refugjatët sa më shpejt që të jetë e mundur. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell vizitoi Berlinin dhe foli me disa nga të ardhurit rishtaz rreth përvojës së tyre në Gjermani dhe mendimet e tyre mbi suksesin e partisë AfD.

Dilshad e la qytetin e tij të lindjes, Sinjar në Irak, ndërsa Shteti Islamik përfshiu rajonin në vitin 2014. Si mijëra të tjerë, ai u nis për në Gjermani. Pasi u përpoq të gjente strehim të përhershëm, tani jeton në një qendër për të pastrehët. Dilshad thotë se nuk shqetësohet nga rritja e së djathtës ekstreme.

“Nuk kam fare frikë. Pasi erdha nga Iraku, ku mbizotëronte frika, Gjermania nuk është vend për të patur frikë. Këtu ndiqen parimet demokratike. Falenderoj ‘Mama’ Merkelin në emrin tim dhe të gjithë refugjatëve”.

Por kjo demokraci i ka dhënë partisë së ekstremit të djathtë ‘Alternativa për Gjermaninë’ 88 vende në parlament. Posterat e fushatës janë qartësisht kundër imigrantëve. Një prej tyre ka portretin e një gruaje të bardhë shtatëzënë ka mbishkrimin - Gjermanët e Rinj? Ata i bëjmë vetë.’

Gesa Massur ndihmon në menaxhimin e qendrës. Ajo thotë se Dilshad është me fat pasi ka shumë refugjatë të tjerë të rinj që janë neglizhuar nga shteti.

“Mendoj se kjo është vërtetë e rrezikshme pasi disa të rinj mund të mos dinë ç’të bëjnë dhe marrin rrugën e gabuar”.

Imigrantët e rinj përpiqen të ndihmojnë njëri-tjetrin. Një program i qeverisë trajnon imigrantët sirianë dhe irakianë të veprojnë si guida në muzeumet e Berlinit. Ata u mësojnë refugjatëve, si Tony Al-Arkan nga Siria, rreth Gjermanisë dhe si të ndërtojnë një jetë të re.

“Trajnimi nuk ka të bëjë shumë me atë që është brenda në muze. Ai është edukues. Ne tregojmë atë çfarë kemi mësuar si të ardhur të rinj.”

Salma Jreige kryen ture përreth Muzeut të Historisë Gjermane.

“Për shembull, Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore u shkatërrua plotësisht. Si e ndërtuan gjermanët vendin e tyre është një mësim i rëndësishëm për ne. aty është një objekt nga Damasku.Kur njerëzit shohin se kultuar e tyre është e ekspozuar nëpër muzeume, kjo i jep atyre ndjenjën se kultura e tyre respektohet. Pa këtë, integrimi është i pamundur”, thotë Salma Jreige, refugjate nga Siria.

Përmes programeve si këto në muzetë e Berlinit, qeveria synon integrimin e refugjatëve sa më shpjet që të jetë e mundur. Përfitim për vetë refugjatët por edhe për shoqërinë gjermane.

Detyra mund të duket e vështirë. Për Tonin dhe Salman zgjidhja mbetet jo vetëm tek mbështetja e shtetit por edhe tek ndihma e imigrantëve për njëri-tjetrin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG