Lidhje

Ambasadorja Haley mbron vendimin për Iranin


Uashingtonit i duhet tani të vendosë për hapat që do të pasojnë vendimin e Presidentit Donald Trump për mosçertifikimin e zbatimit nga Irani të marrëveshjes bërthamore, të nënshkruar me disa fuqi botërore në vitin 2015.

Presidenti Donald Trump u dha fund javëve të tëra të pasigurisë për marrëveshjen bërthamore.

“Nuk mundemi ta çertifikojmë marrëveshjen”, deklaroi Presidenti Trump.

Administrata e tij po mbron tashmë vendimin që mund të çojë në rrëzimin e një pjese tjetër të rëndësishme të trashëgimisë së ish-Presidentit Barack Obama. Marrëveshja pezulloi për 10 vjet pjesën më të madhe të aktivitetit bërthamor të Teheranit, por nuk trajtoi programin e raketave të Iranit dhe çështje të tjera.

“Duhet të mbajnë përgjegjësi. Nuk munden të vazhdojnë të mbështesin terrorizmin nëpër botë, siç po i shohim. Nuk mund të vazhdojnë të testojnë raketa balistike, të cilat do të çojnë drejt një Irani bërthamor”, tha Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley.

Ndërsa Kryeministri i Izraelit përshëndeti vendimin e Presidentit Trump, palët nënshkruese të marrëveshjes shprehën shqetësim.

“Ne në Evropë, Gjermania, Franca, Britania dhe BE-ja, i qëndrojmë marrëveshjes me Iranin dhe duam ta ruajmë atë”, tha Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel.

Shqetësimi nuk ka të bëjë vetëm me Iranin.

“Marrëveshja me Iranin provoi për herë të parë se është e mundur të shmanget lufta nëpërmjet negocimeve, dhe se mbi të gjitha, mund të parandalohet armatimi i një vendi me armë bërthamore... Nëse do të prishej kjo marrëveshjeje, vende të tjera në mbarë botën nuk do të angazhohen në traktate të tilla. Është pra një rrezik që shtrihet përtej Iranit”, tha zoti Gabriel.

“Në Iran nuk thonë ‘vdekje Gjermanisë’. Aty thuhet ‘vdekje Amerikës’,”, tha Ambasadorja Haley.

Zyrtarët thonë se Presidenti Trump është plotësisht i ndërgjegjshëm që vendimi për marrëveshjen me Iranin po ndiqet me vëmendje në Penian.

“I dërgon mesazhin perfekt Koresë së Veriut – ne nuk do të angazhohemi për një marrëveshje të keqe dhe nëse do ta arrijmë një marrëveshje, do të mbani përgjegjësi. Nuk do të kthejmë kokën nga ana tjetër, vetëm sepse arritëm një marrëveshje”, tha Ambasadorja Haley.

Tashmë i takon Kongresit të veprojë. Ndërsa shumë demokratë kritikojnë vendimin e Presidentit Trump, përfaqësuesit kryesorë të republikanëve shohin një mundësi për të rregulluar një marrëveshje me probleme.

“Sipas marrëveshjes, Irani ka fituar një rrugëtim “me durim” drejt zhvillimit të armës bërthamore. Duhet ta korrigjojmë këtë dhe shpresoj që Kongresi do ta bëjë. Shpresoj edhe që Presidenti të konsultohet më mirë me aleatët tanë, pasi kjo është një marrëveshje shumëpalëshe, dhe jo dypalëshe”, tha Senatorja republikane Susan Collins.

Duke iu përgjigjur Presidentit Trump, Presidenti i Iranit premtoi zbatimin e marrëveshjes, por edhe vazhdimin e zhvillimit të raketave dhe armëve të tjera.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG